Site icon Telegrafi

PDK shënon 17 vjetorin, Veseli: Si gjithmonë, të bashkuar dhe fitimtar

Partia Demokratike e Kosovës ka shënuar sot 17 vjetorin e themelimit të saj. Për të shënuar këtë përvjetor qindra simpatizantë, drejtues të lartë të Partisë Demokratike të Kosovës, deputetë të nivelit qendror e lokal, ministra dhe ish themelues të kësaj partie, ishin mbledhur për të kremtuar së bashku.

Me këtë rast kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, uroi të pranishmit dhe të gjithë anëtarët e PDK-së.

Veseli ju dëshiroi mirëseardhje të pranishmëve, në festën e përbashkët, festën e themelimit të Partisë Demokratike të Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës, theksoi Veseli, lindi dhe u zhvillua në një situatë dramatike për vendin tonë të sapo dalë nga lufta.

“Partia Demokratike e Kosovës lindi për të përfunduar rrugën e lirisë, rrugën nga çlirimi në shpallje të pavarësisë dhe ndërtim të shtetit demokratik e sovran të Kosovës. Lindi për të fituar paqen. Në këtë mision të shenjtë, Partisë Demokratike të Kosovës, iu bashkuan dhe i besuan njerëzit më të përkushtuar të vendit”, theksoi Veseli, thuhet në kumtesen për media.

Ai më tej theksoi se PDK-së, iu bashkuan ata që në kohë dhe rrethana të ndryshme bënë më të mirën për atdheun. PDK-së që nga themelimi iu bashkuan themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila kurorëzoi përpjekjet njëshekullore për lirinë e pavarësi, intelektualët, akademikët, gazetarët, minatorët, të burgosurit politik, arsimtarët e fermerët.

“Sot, dua t’i falenderoj nga zemra të gjithë, për kontributin e dhënë në shërbim të atdheut dhe ndërtimin e fuqizimin e Partisë Demokratike të Kosovës. Një falenderim të veçantë e bëjë për ish liderin e partisë, Z. Hashim Thaçi, presidentin aktual të Kosovës, njeriun, i cili me lidership të vendosur, udhëhoqi proceset historike të vendit dhe fitoret politike të Partisë Demokratike të Kosovës”, tha Veseli.

Kryetari Veseli, shtoi se ishin këto ndryshime në jetën e qytetarëve të Kosovës, ato që siguruan fitoret e një pas njëshme të Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet qendrore dhe lokale.

“Kemi të drejtë të mburremi me sukseset tona, por, njëkohësisht, edhe detyrimin për të qenë vetëkritik, është pjesë e moralit tonë politik dhe përgjegjësisë para qytetarëve, që t’i njohim dhe pranojmë gabimet e bëra gjatë ecjes, lëshimet e devijimet nga përgjegjësitë e ngarkuara, fenomenet negative në nivelet e ndryshme të qeverisjes sonë”, u shpreh Veseli.

Veseli më tej theksoi se ne jemi vetëkritik, i pranojmë gabimet tona dhe përmirësohemi çdo ditë.

“Partia Demokratike e Kosovës, ka nevojë të qëndroj e hapur: për të gjithë ata që duan të punojnë për vendin, të rinj e të reja, gra dhe burra, për të gjithë ata që kanë ide dhe iniciativa politike e ekonomike, që kanë energji krijuese dhe duan t’i rrisin fëmijët e tyre në një Kosovë të zhvilluar dhe të denjë për të qenë pjesë e familjes evropiane. Ne kemi bashkërisht ende shumë punë për të bërë”, tha Veseli, duke u shprehur i bindur se me hapjen dhe punën që po bënë, PDK do të vazhdojë e sigurt si partia më e madhe në Republikën e Kosovës.

“Ne që kemi ndryshuar Kosovën, kemi forca të ndryshojmë veten, në përputhje me nevojat dhe sfidat e sotme. Si gjithmonë, të bashkuar dhe fitimtar. Urime 17 vjetori dhe na priftë e mbara në rrugëtimin tonë të përbashkët”, u shpreh Veseli./Telegrafi/

Exit mobile version