Telegrafi

PDK rikonfirmon votën për Projektligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka thënë se me Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike do të përfitojnë qytetarët e Kosovës.

Hamza në fjalimin e tij në Kuvend, shprehu keqardhjen se ky ligj nuk është votuar më herët, transmeton Telegrafi.

Ai theksoi se deputetët e PDK-së, do ta votojnë këtë projektligj.

“Ligji i sotshëm është për të gjithë qytetarët e Kosovës.  Ligji nuk parashikon se si do të jetë skena politike në të ardhme, as nuk ka garanci së PDK do të votojë ligje tjera. Jemi opozitë e Qeverisë, por nuk mundem të jem opozitë e interesave të shtetit. Deputetët e PDK-së do ta votojnë këtë Projektligj”, pohoi ai.

Hamza tha se ligji i përkrah të punësuarit, përfitojnë bizneset që numri i tyre mund të jetë mbi 50 mijë.

“Ky ligj i përkrah të punësuarit në sektorin privat, përfitojnë mbi 50 mijë biznese si rezultat i granteve, përfitojnë dhjetra mijëra të punësuar në sektorin privat që kanë humbur vendet e punës nga pandemia, përfitojnë qytetarët e Kosovës me mjetet e tërhequra nga Trusti dhe qytetarët me bazë ekonomike më të ulët do të rimbursohen nga shteti, lënda e parë e prodhuar nuk do të ngarkohet me TVSH”, tha ai. /Telegrafi/