Partia Demokratike e Kosovës (PDK), ka reaguar pas deklaratave të ministrit të Integrimeve, Blerim Reka, i cili ka propozuar një korridor për dalje në detin Adriatik për Serbinë.
Anëtari i kryesisë së PDK-së, Migjen Kelmendi, në një konferencë për medie ka thënë se ideja e ministrit Reka për hapjen e korridorit të Durrësit për Serbinë, i takon shekullit të kaluar dhe si e tillë ajo është e vdekur.
“Dalja e Serbisë në Durrës, siç e tha ai, ose siç kujtojmë ne ashtu siç e artikulonte Serbia e fillimit të shekullit 19 është një tezë e cila hap tema pa aspak nevojë”, tha ai.
Teza e korridorit të Durrësit, sipas Kelmendit, e ka marrë një përgjigje historike dhe është sot një temë e vdekur qysh në fillim të shekullit 20-të me vetë themelimin e shtetit shqiptar.
“Rihapja e kësaj teme fantazmë është një gabim i madh dhe një incident politik që kërkon patjetër reflektimin dhe përgjegjësinë publike”, tha ai.
Për këtë incident politik, siç e quajti Kelmendi, ministri Reka duhet të japë dorëheqje të menjëhershme.
Kelmendi po ashtu tha se me temën e Durrësit në esencë po eklipsohet paaftësia e qeverisë Kurti për të marr qëndrim të saktë dhe të plotë sa i përket taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe. /Telegrafi/