Partia Demokratike e Kosovës vlerëson se Qeveria e Kosovës nuk ka ndërmarrë masat e nevojshme për ta parandaluar përhapjen e koronavirusit.
Kjo parti thotë se është fatkeqësi që personat e ardhur nga Italia, e që kanë rezultuar me koronavirus, nuk janë vendosur në karantinë për 14 ditë.
Uran Ismaili nga kjo parti, e që ka qenë ministër i Shëndetësisë në qeverinë e kaluar, tha se disa çështjeve nga Qeveria Kurti është dashur t’u jepet seriozitet më i madh.
Ai deklaroi se është gabim që personat e ardhur nga Italia nuk janë vendosur në karantinë për 14 ditë, por janë lënë të lirë të lëvizin.
“Është fatkeqësi që personat e ardhur nga Italia nuk janë vendosur në karantinë për 14 ditë, pra duke ua kufizuar atyre lëvizjen dhe kontaktin me të tjerët, por u është lejuar që të sillen nëpër qytetet e tyre, të marrin pjesë në aktivitete shoqërore dhe kështu ta ekspozojnë popullatën nga virusi. Karantina ka qenë masë që është përdorur nga të gjitha shtetet, por jo nga Kosova. Karantinat janë përdorur në dy forma, në karantinë të organizuar nga shteti, ose vetë-karantinë në shtëpi/banese. Këto karantina kanë qene të mbikëqyrura nga policia, për mos lejuar shpërndarjen e virusit. Mungesa e veprimeve për izolim te personave, të ardhur në Kosovë nga shtetet me rrezik te lartë, siç është Italia, na ka shtuar rrezikun për shpërndarjen e virusit në Kosovë. Çdo person që vjen nga vendet e prekura duhet te vendoset në karantine për 14 dite. Kjo është masë që e mbron edhe të infektuarin, edhe popullatën. Mungesa e këtij veprimi është një gabim që duhet të përmirësohet urgjentisht”, tha ai.
Ismaili tha se një çështje tjetër me rëndësi është testimi i shpeshtë, e që sipas tij deri më tani nuk është bërë një gjë e tillë.
“Në Kosovë, deri më tani, sipas informatave zyrtare, i kemi 140 testime. Mendoj se kjo është e paktë, duke e ditur se personat e prekur siç po raportohet kanë pasur kontakte me qindra njerëz. Numri i ulët i testimeve rrit mundësinë e infektimeve. Qeveria Kurti duhet që urgjentisht të fillojë testimin më të shpeshtë, duke mos neglizhuar zinxhirin e mundshëm të personave që kanë rënë në kontakt me të prekurit nga virusi”, tha ai.
Ai tha se OBSH e rekomandon saktësisht që të bëhet testim i shpeshtë për të gjetur dhe izoluar rastet.
Ish ministri i Shëndetësisë, ka ngritur shqetësim edhe sa i përket furnizimit të personelit shëndetësor me material mbro jtës. Ai i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të merren masa për mbrojtjen e personelit shëndetësor.
“Jemi të shqetësuar nga raportimet që vijnë nga komunat e shumta, për mungese të madhe të pajisjeve mbrojtëse për personelin shëndetësor, si në spitale rajonale, ashtu edhe në qendrat e mjekësisë familjare. Mungesa e materialit të nevojshëm, maskave, dorezave, dezinfektuesve dhe mjeteve të tjera mbrojtëse rrezikon drejtpërdrejt mjeket dhe infermieret, që janë dera e pare ku qytetari troket për ndihme. Derisa na u themi qytetareve që të kenë kujdes, të mbajnë distance njeri me tjetrin, të izolohen, janë mjeket dhe infermieret që janë te vijnë e parë duke bërë betejën kundër kësaj sëmundje. Qeveria Kurti duhet menjëherë, sot, të marrë masa për mbrojtjen e personelit shëndetësor”, tha Ismaili.
Në Kosovë tashmë janë shënuar tri raste me koronavirus, e të cilët janë duke u trajtuar në Klinikën Infektive./kp/