Pas hedhjes së shortit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) për zgjedhjet e 9 shkurtit, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) do të garojë me numrin 131.
Ky numër u komentua nga kandidati i PDK-së për kryeministër Bedri Hamza dhe kryetari Memli Krasniqi, të cilët theksuan se ky është një simbol i besimit dhe shpresës për qytetarët e Kosovës.
Kandidati për kryeministër nga radhët e PDK-së, Bedri Hamza, tha se numri 131 përfaqëson mundësi dhe zhvillim.
Ai shtoi se ky është një numër që sjell besim dhe shpresë për një të ardhme më të mirë. “131 është numri i besimit dhe shpresës për të gjithë qytetarët e Kosovës. 131 për Kosovën që mundet më mirë!”, shkroi Hamza.
Ndërkohë, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e quajti numrin 131 si numrin e fitores dhe të ardhmes për Kosovën.
Ai theksoi se PDK është e mobilizuar dhe e gatshme për të fituar zgjedhjet e 9 shkurtit me një ekip të shkëlqyer kandidatësh dhe me Bedri Hamzën në krye.
“Numri 131 na bashkon në vizionin për një Kosovë më të mirë. Me punë të palodhshme, përkushtim dhe kompetencë të dëshmuar, do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për çdo qytetar”, shkroi Krasniqi në një postim në Facebook. /Telegrafi/