Partia Demokratike e Kosovës, ka reaguar pas mosvotimit të Trustit nga ana e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje.
PDK ka thënë se Qeveria Kurti dhe deputetët e saj dëshmuan që janë kundër kërkesave të qytetarëve që po përballen me krizën ekonomike dhe ngritjen enorme të çmimeve.
“Deputetët e pushtetit aktual, të udhëhequr e dirigjuar nga kryeministri Albin Kurti, sot dëshmuan që nuk janë në Kuvendin e Kosovës për t’i dëgjuar e për t’i përmbushur kërkesat e qytetarëve të Kosovës, të cilët po përballen me krizën e thellë ekonomike dhe me rritjen enorme të çmimeve të produkteve esenciale për jetesë. Në fakt, me kundërshtimin e tyre, ata e dëshmuan që nuk janë deputetë të popullit por shërbyes të kryeministrit”.
Partia Demokratike konsideron se Trusti ishte domosdoshmëri, nevojë dhe kërkesë e qytetarëve të Kosovës.
“Partia Demokratike e Kosovës, sot pas shumë pengesave e vonesave që pushteti aktual i bëri gjatë rrugës, e solli në Kuvend ligjin që e rregullonte një çështje konkrete, përkatësisht, lejimin e tërheqjes prej 10 përqind deri 30 përqind të mjeteve të kursyera nga qytetarët në TRUST-in pensional, e cila si masë, para se të jetë alternativë e PDK-së si opozitë karshi veprimeve të qeverisë, ishte domosdoshmëri, nevojë dhe kërkesë e qytetarëve të Kosovës”.
“Por, kërkesat dhe nevojat e qytetarëve të Kosovës nuk u dëgjuan dhe nuk u mbështetën nga qeveria Kurti dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje”.
Më tej në reagimin e PDK-së thuhet se Kurti në Kuvend në vend që të jepte përgjegjësi para qytetarëve për gjendjen e rënduar që ka nxitur këtë nevojë për tërheqjen e një pjese të mjeteve nga TRUST-i, ai foli se si qytetarët e Kosovës nuk duhet të pyeten për vendimet që duhet të merren për jetën e tyre.
“Kjo qeveri e cila çdo ditë po dëshmon se është jokompetente dhe pa vizion, vetëm po e vëzhgon rënien e lirë të ekonomisë së Kosovës dhe përkeqësimin e përditshëm të mirëqenies së familjeve kosovare”.
Sipas tyre rritja e çmimeve që ka shkaktuar kriza, bashkë me rritjen e çmimeve që qytetarëve ua ka imponuar qeveria, siç ishte rasti me ngritjen e çmimit të energjisë elektrike, e kanë bërë jetën në Kosovë vështirë të përballueshme.
“Prandaj, shumë qytetarë të vendit që deri dje kërkonin vende pune, sot po kërkojnë viza për të ikur nga Kosova”.
Partia Demokratike e Kosovës shpreh zhgënjimin e thellë që ligji i diskutuar sot e i mbështetur nga shumica dërmuese e qytetarëve të Kosovës u rrëzua nga pushteti aktual, duke pamundësuar kështu sadopak lehtësimin e ballafaqimit të qytetarëve me krizën sociale dhe ekonomike.
“PDK do të vazhdojë të jetë afër qytetarëve për t’i dëgjuar kërkesat dhe nevojat e tyre dhe do të vazhdoj të kërkoj nga kjo qeveri e papërgjegjshme llogari për dështimet e vazhdueshme në të gjitha fushat e qeverisjes”, thuhet në fund. /Telegrafi/