Telegrafi

PDK: Pas Nagip Krasniqit, edhe një anëtar i Bandës Zdravo paska përfunduar në pranga

Pas arrestimit të kryeshefit ekzekutiv të Bordit të Ndërmarrjes Hidro-ekonomike “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka dhe një zyrtari tjetër ka reaguar sekretari organizativ i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Betim Gjoshi.

Gjoshi përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka thënë se pas Nagip Krasniqit, edhe një anëtar i bandës “Zdravo” është arrestuar.

Sipas tij, Faruk Mujka u bë bashkëpunëtor i zellshëm i Albin Kurtit.

“Në Kosovën e Lirë, Faruk Mujka u bë bashkëpunetor i zellshëm i Albin Kurtit, e para kësaj, siç kanë raportuar mediat, ai ishte një anëtar i devotshëm i JUL-it, partisë së gruas së Sllobodan Millosheviqit, Mira Markoviqit.

Albin Kurti duhet t’ia lë duart e lira institucioneve të drejtësisë dhe të mos pengojë arrestimin e mikut të tij, Martin Berishajt, për afera miliona euro në dëm të shtetit të Kosovës”, ka shkruar Gjoshi.

Lexo po ashtu Bastiset shtëpia e kryeshefit të Ipër-Lepencit, Faruk Mujkës - Prokuroria sekuestroi 60 mijë euro

Tutje ai ka thënë se burgut të Sigurisë së Lartë, Dyzit duhet t’i shtohen katet.

“Duhet më shumë hapësira për Bandën Zdravo, Mimozën, Rozetën, Radojçiqin, e të tjerët me radhë.

Kryeministër, lëre drejtësinë të bëjë punën e saj. Mos dil tash në foltoren e Kuvendit dhe të sulmosh Prokurorët e Gjykatësit, si në rastin e Nagip Krasniqit”, ka shkruar ndër të tjera Gjoshi. /Telegrafi/