Pas arrestimit të kryeshefit ekzekutiv të Bordit të Ndërmarrjes Hidro-ekonomike “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka dhe një zyrtari tjetër ka reaguar sekretari organizativ i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Betim Gjoshi.
Gjoshi përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka thënë se pas Nagip Krasniqit, edhe një anëtar i bandës “Zdravo” është arrestuar.
Sipas tij, Faruk Mujka u bë bashkëpunëtor i zellshëm i Albin Kurtit.
“Në Kosovën e Lirë, Faruk Mujka u bë bashkëpunetor i zellshëm i Albin Kurtit, e para kësaj, siç kanë raportuar mediat, ai ishte një anëtar i devotshëm i JUL-it, partisë së gruas së Sllobodan Millosheviqit, Mira Markoviqit.
Albin Kurti duhet t’ia lë duart e lira institucioneve të drejtësisë dhe të mos pengojë arrestimin e mikut të tij, Martin Berishajt, për afera miliona euro në dëm të shtetit të Kosovës”, ka shkruar Gjoshi.
Tutje ai ka thënë se burgut të Sigurisë së Lartë, Dyzit duhet t’i shtohen katet.
“Duhet më shumë hapësira për Bandën Zdravo, Mimozën, Rozetën, Radojçiqin, e të tjerët me radhë.
Kryeministër, lëre drejtësinë të bëjë punën e saj. Mos dil tash në foltoren e Kuvendit dhe të sulmosh Prokurorët e Gjykatësit, si në rastin e Nagip Krasniqit”, ka shkruar ndër të tjera Gjoshi. /Telegrafi/