PDK në Podujevë ka ngritur shqetësimin për gjendjen e nxënësve në këtë komunë.
Sipas kësaj partie, nxënësit e Podujevës janë të rrezikuar nga qentë endacak, aq sa janë të rrezikuar nga mësimdhënësit e pakualifikuar.
Përmes një reagimi për media, PDK thotë se vizitat e kryetarit aktual të komunës së Podujevës Agim Veliu nëpër shkolla së bashku me ekipet e QKMF-së, tani që jemi në vitin elektoral të zgjedhjeve lokale, janë më shumë për marketing politik, sesa që kryetarit Veliu i intereson shëndeti i fëmijëve të Podujevës, pasi kanë kaluar 3 vite të këtij mandati dhe kjo praktikë s’kishte ndodhur asnjëherë.
“Nxënësit e pesë shkollave fillore në qytetin e Podujevës, e sidmos tri prej tyre që janë në qendër të qytetit, ajo “Shaban Shala”, “Naim Frashëri”, “Ibrahim Rugova”, janë të rrezikuar në mënyrë të përhershme nga tufat e qenve endacak, të cilët sillen rreth e qark qytetit të Podujevës”, theksohet në reagim.
SIpas PDK-së, Komuna e Podujevës, ka derdhur mijëra euro në Shoqatën e Gjuetarëve “Llapi”, pagesë kjo për eleminimin e qenve endacak, sipas një marrëveshje të arritur më herët, e problemi vazhdon të jetë i tillë, ndërsa fondet janë thither, kurse efekti është zero.
Ndërsa sa i përket gjendjes së arsmit në këtë komunë, PDK thotë se për të siguruar të ardhme të ndritur për të rinjtë dhe të rejat, Veliu duhet të heqë dorë nga politizimi i skajshëm i arsimit në Podujevë, sepse kjo është mënyra e cila po e vret të ardhmen dhe dijen e nxënësve tanë.
“Në qeverisjen e komunës së Podujevës nga LDK-ja, ndër vite numri i të punësuarve të pakualifikuar dhe jashtë profesionit në arsmin paraunversitar, fillor dhe të mesëm ka arritur në qindra. Ky lloj operacioni social pa anestezion ka ndikuar që suksesi i nxënësëve të shkollave të mesme asnjëherë mos të jetë më i lartë se 2.3, si notë mesatare (mjaftueshëm)”, theksohet ndër te tjerash në reagim.