Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, i cili është edhe ushtrues detyre i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, javë më parë pati paralajmëruar një ofertë serioze drejtuar opozitës.
Madje, këtë ofertë ai e kishte vlerësuar si vështirë të refuzueshme nga ana e opozitarëve.
Mirëpo, prej asaj dite, PDK-ja nuk ka bërë ndonjë hap në këtë drejtim.
Zyrtar të lartë të partisë më të madhe në vend thonë se nuk janë në dijeni përkitazi me ofertën e proklamuar nga Veseli.
Anëtari i kryesisë së kësaj partie, Xhavit Haliti, thotë se nuk ka ndonjë informacion për ndonjë ofertë të mundshme.
“Unë nuk e di qe ka ndonjë marrëveshje për diçka të tillë. Nëse kanë folur kryetaret e partive për këtë çështje atëherë është tjetër gjë. Por, unë s’kam informacion”, ka thënë Haliti
E nga ana tjetër, nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, thotë se si parti opozitare as qe kanë marrë dhe as nuk do të pranojnë asnjë ftesë tjetër pos zgjedhjeve të parakohshme.