Partia Demokratike e Kosovës (PDK), është në hall për të gjetur deputetë. Pas largimit të deputetëve, Ramiz Kelmendi dhe Fadil Demaku, janë liruar vendet në Kuvend. Derisa Kelmendin e ka zëvendësuar Nehat Baftiu, Demaku vazhdon të mos ketë zëvendësues.
Pas refuzimit të Bajram Zejnullahut dhe Bajram Rexhepit për tu bërë deputetë të PDK-së, vjen edhe refuzimi i radhës. Është Ramë Vataj që sot zyrtarisht ka paraqitur deklaratën e tij në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku refuzon të bëhet deputet.
Se nuk do të jetë pjesë e Kuvendit, rektori i Universitetit të Prizrenit, Ramë Vataj e ka thënë për herë të parë në emisionin “Kontakt” në Tribuna Channel.
“Sot kam dërguar deklaratën time në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku nuk e kam pranuar postin e deputetit. Arsyet janë të shumta, por për të qenë real dua të them se kur kam konkurruar për të qenë rektor i Universitetit të Prizrenit, kam dhënë dorëheqje nga të gjitha pozitat partiake dhe nuk është e moralshme tani të kthehem në pozitën e deputetit”, ka deklaruar Vataj.
Ai thotë se tani për tani është përcaktuar për punën e rektorit dhe nuk i ka mbetur merak që të ishte pjesë e kësaj legjislature.
“Kur i kam parë skenat e dhunës në Kuvendin e Kosovës, hedhjen e gazit lotsjellës dhe përplasjen e deputetëve mes veti, i kam thënë vetës mirë që nuk jam pjesë e kësaj legjislature”, ka deklaruar Vataj./Tribuna/