Site icon Telegrafi

PDK merr pjesë në seancën e nesërme të thirrur nga opozita

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se PDK-ja, në vazhdimësi ka kërkuar që rreth çështjes se dialogut të krijohet një unitet i forcave politike.

Krasniqi, tha se seancën e jashtëzakonshme e cila do të mbahet nesër e sheh si një mundësi për të përafruar qëndrimet por jo duke u cunguar vetëm në një çështje.

“Siç e dini PDK-ja, në vazhdimësi ka kërkuar që rreth çështjes se dialogut të krijohet një unitet i forcave politike sepse konsiderojmë që është një prej temave më të rëndësishme me të cilat ne do të ballafaqohemi edhe në fazën e ardhshme. Në këtë kuadër edhe qëndrimet e Veselit kanë qenë konsistente duke përfshirë edhe adresimin e tij gjatë kësaj jave që forcat politike në vend duhet të diskutojnë dhe të arrijnë pikat e dakordimit për rrugën përpara sa i përket dialogut.

Për nesër ne e shohim seancën si një mundësi për të përafruar qëndrimet dhe për të miratuar një dokument, një deklaratë, një rezolutë e cila i përcakton në mënyrë gjithëpërfshirëse çështjet që ndërlidhen me dialogun por jo në mënyrë të cunguar vetëm një çështje për të cilat do të përcaktonte pse jo dhe përparimet themeltare për të cilat Kosova do t’i qaset dialogut”, ka thënë Krasniqi.

Ai gjithashtu shpreson që edhe vullneti i shprehur nga përfaqësuesit e opozitës të jetë i sinqertë.

Dhe siç tha ai, nëse kjo ndodh partitë e koalicionit do të kenë vullnetin për të gjetur një dakordim për pikat e rëndësishme të cilat duhet të drejtojnë dialogun me Serbinë, në Bruksel.

“Pritjet tona dhe qëllimet që i kemi nga ky dialog por edhe vijat e kuqe që ndërlidhen me ato çka ne nuk do të pranojmë në asnjë mënyrë si konkluzion i dialogut. Shpresojmë që vullneti i shprehur edhe nga përfaqësuesit e opozitës është i sinqertë dhe nëse kjo vërtetë ndodh atëherë unë besoj që edhe partitë e koalicionit do të kenë vullnetin për të gjetur një dakordsim për pikat e rëndësishme të cilat duhet të na drejtojnë në dialogun me Serbinë në Bruksel”, ka thënë ndër të tjera, shefi i GP të PDK-së, Memli Krasniqi. /Telegrafi/

Exit mobile version