Planet për ndërtim rreth liqenit të Badovcit kanë nxitur reagimet e qytetarëve të shumtë të Republikës së Kosovës.
Përveç qytetarëve të shumtë që kanë reaguar, Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Prishtinë ka vendosur që të filloj mbledhjen e nënshkrimeve të asamblistëve në Komunën e Prishtinës, në mënyrë që të mbahet një seancë e jashtëzakonshme për këtë çështje.
“Duke marrë parasysh rëndësinë strategjike të Liqenit të Badovcit për qytetarët e Prishtinës, për furnizim me ujë si dhe ruajtje të mjedisit, Dega e PDK-së në Prishtinë konsideron se çdo tentim për të zhvilluar aktivitet afarist dhe banimor në afërsi të liqenit është i papranueshëm dhe nuk duhet të lejohet”, thuhet në njoftimin për medie të kësaj partie.
PDK kërkon nga asamblistët e partive në Kuvendin Komunal të Prishtinës t’i përgjigjen thirrjes dhe të caktojnë sa më parë ditën e diskutimit për këtë çështje.
Ky është një vendim që u mor mbrëmë gjatë mbledhjes urgjente që mbajti PDK-ja. /Telegrafi/