Partnerët e koalicionit qeverisës, PDK dhe LDK, duket se kanë harruar premtimin e dhënë për riformatizimin e kabinetit qeveritar dhe zvogëlimin e numrit të ministrive.
Kur i kanë mbetur edhe pak më shumë se një vit mandat të kësaj qeverie, kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, vazhdon të hesht rreth premtimit për të bërë ndryshime në kabinetin që ai udhëheq, meqë është kritikuar mjaft shumë për numrin e madh të ministrive, duke e bërë Qeverinë e Kosovës me të madhen në rajon dhe më gjerë.
Kryeministri Mustafa në korrik të vitit të kaluar, pas një takimi që kishte pasur me zyrtaren e lartë amerikane, Victoria Nuland, përmes një komunikate për media, pati paralajmëruar riformatimin e kabinetit qeveritar, që për synim kishte edhe zvogëlimin e numrit të ministrive.
“Ai theksoi interesimin që të punohet në riformatimin e Qeverisë, i cili do të përfshijë zvogëlimin e kabinetit, përfshirjen e njerëzve të rinj, si dhe rritjen e efikasitetit dhe përshpejtimin e proceseve reformuese”, thuhej në komunikatën e Kryeministrisë.
Në kabinetin e kryeministrit Isa Mustafa thonë se nuk kanë harruar këtë premtim, pasi ekziston pajtimi tek partnerët e koalicionit qeverisës që kjo të ndodhë.
Faton Abdullahu, këshilltar i kryeministrit, Isa Mustafa, tha për KosovaPress, se ekziston pajtimi mes partnerëve se do të duhej të bëhej zvogëlimi i numrit të ministrive, porse aktualisht dy partitë janë pajtuar që të vazhdohet me këtë përbërje të kabinetit qeveritar.
“Shikoni, çështja në fjalë nuk është harruar. E dini që ky format i Qeverisë kështu si kundër është, është i trashëguar dhe ka ekzistuar një pajtim i palëve në koalicion që duhet të ketë riformatim në kuptimin e zvogëlimit të dikastereve edhe më përpjekjen që të shtohet efiçienca dhe të shtohen edhe kursimet në këtë drejtim. Parimisht si i tillë, me këtë qasje ekziston pajtueshmëri edhe tani e tutje, por nuk ka lëvizje konkrete, nuk ka diçka konkrete në këtë drejtim që do ta bënte informacion apo do të quhej si risi”, tha Abdullahu.
Por duke qenë se kësaj Qeverie i ka mbetur edhe pak më shumë se një vit mandat, sipas Abdullahut ende nuk dihet nëse do të ketë riformatizim në pjesën e mbetur të mandatit, pavarësisht se parimisht mbetet vullneti i të dyja partive në koalicion për një gjë të tillë.
Sipas tij, një gjë e tillë më mirë do të bëhej me ligjin për Qeverinë e Kosovës, i cili pritet të miratohet.
“Nuk ka kurrfarë pengesë të asnjë natyre që mund të dëgjohen si aludime se nuk janë bërë për këtë apo atë arsye, thjeshtë palët në koalicion janë marrë vesh se kështu sikundër është mund të vazhdohet tutje pa dëmtuar efiçiencën qeverisëse. Mirëpo, kur faktikisht mund të bëhen këto ndryshime, ende nuk kanë vendosur palët në koalicion, ndërkohë që kjo do të bëhet edhe më mirë me ligjin për çështjen në fjalë”, shtoi më tutje Abdullahu.
Shoqëria civile e sheh të pamundshme riformatizimin e Qeverisë dhe zvogëlimin e numrit të ministrive.
Driton Selamanaj nga Demokracia Plus, thotë se partnerët e koalicionit nuk dëshirojnë ta ngacmojnë njëri-tjetrin dhe t’i prishin hesapet asnjërit.
Sipas tij, PDK dhe LDK kanë menduar kështu në fillim, e kanë realizuar kështu koalicionin dhe nuk duan ta ngucin njëri-tjetrit.
Selmanaj përmend edhe rastin e mos emërimit të ministres për Integrime për gjashtë muaj, për shkak të mosmarrëveshjeve mes PDK-së dhe LDK-së.
“Riformatimi ose tendenca për ndryshuar ministra po thuaj se tash është mision i pamundur për shkak, krejtësisht të kujdesit maksimal që mos ta ngacmojnë njëri-tjetrin sepse mund të prishet koalicioni, dhe ky kujdes ka kosto për qytetarët, sepse mendoj që ka qenë i nevojshëm disa nga ministrat e Qeverisë të lëvizin, të hiqen nga aty sepse nuk kanë treguar përformancë të mirë, pjesa tjetër e cila është për t’u vlerësuar mund të qëndron, por po them krejt kjo ka ardhur si rezultat i kujdesit që kanë treguar partnerët e koalicionit dhe më së paku kanë menduar për interesin e njerëzve ose përformancën e ministrave të caktuar”, thekson Selmanaj.
Sipas tij, mos zvogëlimi i numrit të ministrave vjen edhe si rezultat i rehatimit të militantëve të partive të tyre.
“Krejt kjo po ndodhë se koalicioni është ndërtuar në këtë formë për të rehatuar në pozita njerëz të partive politike dhe nuk guxon ta prek askënd, sepse nëse prekët dikush atëherë fillon rishikimi që nga fillimi i tematikave të tilla dhe prishja e koalicionit. Kjo Qeveri është më e madhja në rajon dhe jo vetëm, kemi ministra tërësisht të panevojshëm, dikastere tërësisht të panevojshme, kemi dy tri ministri që fushë veprimtarinë e kanë po thuajse të ngjashme, fuzionimi i tyre është i domosdoshëm… Është imediate në Kosovë të kemi një Qeveri me 12-13 ministri dhe jo me 22 apo 23 sa kemi sot, e mos të flasim zëvendësministra, sepse nuk e duron buxheti i Kosovës dhe jo vetëm buxheti, por kjo shoqëri nuk e duron një administratë kaq të madhe”, ka theksuar ai.
Ministria e Integrimeve Evropiane ka qenë njëra nga ministritë e cila do të shndërrohej në divizion brenda Ministrisë së Punëve të Jashtme.
Por ministrja e Integrimeve Evropiane, Mimoza Ahmetaj, thotë se ajo do ta luajë rolin e saj si ministre përderisa nuk ka një vendim tjetër nga partnerët e koalicionit.
“Unë derisa jam ministre në këtë Ministri do ta vazhdoj punën time. Çështja si do të riformatizohet, si do të duket, a do të shkurtohet numri i ministrive, mbetet çështje që do të diskutohet, por, derisa jam në këtë pozicion, do ta vazhdoj punën time. Shtetet në rajon që kanë kaluar rrugën e integrimit, kanë forma të ndryshme, në formë të sekretariateve, por kanë edhe ministri të veçantë, pra janë të gjitha variantet e mundshme. Nuk jam e prirur të them se si do të duket sepse mbetet të diskutohet me tutje”, është shprehur Ahmetaj.
Qeveria e Kosovës aktualisht ka 20 ministri, dy zëvendëskryeministra dhe mbi dyzetë zëvendësministra që e bënë Qeverinë më të madhe në rajon. /KP/