Partia Demokratike e Kosovës (PDK) po akuzon Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) se në zgjedhjet lokale për kryetar të Podujevës janë duke shkelur rregullat zgjedhore në qendrat e votimit.
Asamblisti i PDK-së në Podujevë, Rafet Llapashtica, tha se në qendra të votimit shihen vëzhgues me logo të LDK-së dhe numër të kandidatit, ndërsa ka akuzuar janë duke u përdorur edhe veturat zyrtare për të dërguar njerëzit për të votuar.
“Vëzhgues me llogo të subjekteve të LDK-së me numrin e kandidatit i cili është i kandiduar për kryetar komune shihen nëpër qendrat e votimit dhe kjo është e ndaluar. Sa për ilustrim ne kemi edhe foton nga vendi i ngjarjes ku shihen komisioner dhe vëzhgues të LDK të cilët i bartin maskat në vendvotim dhe kjo është e ndaluar. Veturat zyrtare që sot është ditë e diel dhe ato duhet të jenë në parking qofshin vetura lokale të ekzekutivit apo nga niveli qendror sot në të gjitha rrugët e Podujevës janë duke bartur struktura dhe votues të cilët mundohen t’i manipulojnë dhe t’i joshin që të votojnë subjektin e tyre. Po të shkojmë në parking aty sheh dy apo më tri vetura edhe të nivelit lokal, mirëpo ne kemi vërejtur edhe vetura të nivelit qendror që kryetari i degës ka intervenuar që sot të jenë në Podujevë”, tha ai.
Ai tha se përkrahësit e Lëvizjes Vetëvendosje janë duke bërë presion me flamuj dhe llogo afër qendrave të votimit, për çka tha se është e papranueshme.
“Militantët e Vetëvendosjes janë duke bërë presion me flamuj dhe llogo afër qendrave të vendvotimeve dhe kjo është e papranueshme, për arsye se Podujeva sot në ora 19 kur mbyllen vendvotimet do të ndryshojë kjo qeverisje, Podujeva do të ketë qeverisjen e re”, tha ai.
Llapashtica tha se si PDK janë duke i respektuar të gjitha rregullat zgjedhore.
Ai në emër të PDK-së u ka bërë thirrje qytetarëve që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre për votuar.
Në garë për të parin e Podujevës janë tre kandidatë, LDK me Nexhmi Rudarin, LVV me Shpejtim Bulliqin dhe PDK me Naim Fetahu./Telegrafi/