Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Kamenicë, përmes një komunikate, thotë se ka ndjekur me vëmendje zhvillimet e fundit rreth përpjekjeve të pamenduara mirë dhe të pa analizuara të Komunës për kinse “reformën” në arsim e cila rezultoi e dështuar dhe la shumë pasoja tek nxënësit të cilët për muaj të tërë humbën procesin mësimor.
“Sot kryetari i Komunës e pranoi dështimin e ‘reformës’ së arsimit e cila nisi me një çasje armiqësore me qytetarët, duke u përpjekur të imponoj vendime arbitrare që quan në mbylljen e përkohshme të disa shkollave”, thuhet në reagimin e PDK-së.
“Pezullimi i “reformave” nga kryetari i Komunës për shkollat e fshatrave Koretin dhe Topanicë, është rikonfirmim i qëndrimeve të PDK-së se shkollat nuk guxon dhe nuk mund të mbyllen me vendime arbitrare dhe pa konsultim me komunitetin”.
“PDK fton të gjithë prindërit që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat ku kanë ndjekur mësimet gjithmonë në Koretin dhe Topanicë dhe kërkon plan emergjent nga Komuna për kompensimin e orëve të humbura si pasojë e vendimeve arbitrare nga Komuna”.
“PDK kërkon nga Komuna e Kamenicës që të rishikoj edhe vendimin e mëparshëm për mbylljen e shkollave nëpër fshatrat tjera të Komunës së Kamenicës dhe të ndërpres reformat’ arbitrare, për t’i hapur rrugë debatit dhe vendimeve për të mirën e nxënësve pas konsultimeve me institucionet përkatëse të arsimit dhe në konsultim e koordinim me qytetarët e lokaliteteve përkatëse”.
Më tej në reagim thuhet se “PDK kërkon nga Komuna e Kamenicës që tu kërkojë falje prindërve dhe nxënësve të shkollave që i mbajti të mbyllura me vendime arbitrare, si dhe kërkon nga Komuna që të heqë dorë nga paditë gjyqësore për qytetarët që refuzuan t’i nënshtrohen dhunshëm ‘reformës’ në arsim”. /Telegrafi/