Telegrafi

PDK kërkon që Projektligji i ri për KPM-në të vlerësohet në Komisionin e Venecias: Ose do ta dërgojmë në Kushtetuese

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Isak Shabani, ka kërkuar që Projektligji i ri për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) të dërgohet për vlerësim në Komisionin e Venecias.

Në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal të mërkurën është shqyrtuar në parim ky projektligj, i miratuar nga Qeveria e Kosovës. Tani pritet të përcillet në Kuvend, mes shumë kritikave.

Lexo po ashtu Projektligji i ri për KPM-në, Bislimi thotë se rritet transparenca e pronësisë së mediave

Para anëtarëve të tjerë të Komisionit, Shabani ka thënë se nëse nga ana e Qeverisë nuk merret vlerësimi i Venecias, atëherë Grupi Parlamentar i PDK-së projektligjin do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

“Janë ngritur shumë shqetësime në lidhje me projektligjin i cili është propozuar gjatë këtyre ditëve. Shqetësimet janë ngritur nga disa organizata duke përfshirë shoqërinë civile dhe disa media”.

Deputeti tutje është shprehur se ky projektligj lë shumë mundësi për keqinterpretime.

“Kërkesë e imja dhe e Grupit Parlamentar të PDK-së është që ky projektligj të dërgohet për vlerësim në Komisionin e Venecias, me të vetmin qëllim që ky ligj të nxirret për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës dhe mediat. Andaj, të jetë një ligj gjithëpërfshirës dhe të jetë në harmonizim me Komisionin Evropian.

Nuk besoj që do të jetë pengesë që të mirret një vlerësim nga Komisioni i Venecias. Nëse nuk dërgohet nga ana juaj, ne do ta dërgojmë ligjin në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë Shabani. /Telegrafi/