Telegrafi

​PDK kërkon nga kryetari i Kamenicës të mos e emërojë nënkryetar Dalibor Filipoviqin

Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Kamenicë i ka bërë thirrje kryetarit të kësaj komune, Kadri Rahimajt që të mos vazhdojë me procedurat e emërimit të Dalibor Filipoviqit në postin e nënkryetarit të komunës.

Në komunikatën për media thuhet se Rahimaj duhet të kërkojë falje publike para qytetarëve të Kamenicës për këtë veprim.

“Mos kërkimi i faljes nga ana e tij, dëshmon se ky emërim ka ardhur si rezultat i pazareve politike të Vetëvendosjes me grupet politike serbe në Kamenicë”, thuhet në reagimin e PDK-së.

“Pushteti i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Kamenicës dhe kryetari Kadri Rahimaj, po shkojnë hapave të njëjtë me të liderit të tyre Albin Kurti sa i përket bashkëpunimit të ngushtë me serbët që kundërshtojnë dhe e luftojnë shtetësinë e Kosovës”.

“Pa asnjë detyrim ligjor, kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj, përmes delegatëve të pushtetit e kanë votuar për nënkryetar të Komunës, Dalibor Filipoviqin, i cili deri tani ka punuar si mirëmbajtës teknik në një shkollë fillore”.

Tutje, thuhet se Filipoviq njihet në Komunën e Kamenicës si mbështetës i Vetëvendosjes në raundin e dytë të zgjedhjeve.

“Filipoviq po ashtu ka mbështetur në vazhdimësi në rrjete sociale zyrtarët e Listës Serbe që kanë shpërndarë gjuhë të urrejtjes ndaj qytetarëve shqiptarë të Kosovës. Dalibor Filipoviq në disa postime në Facebook e kishte mbështetur ish-ministrin Aleksander Jabllanoviq për fyerjet që i kishte bërë ndaj nënave gjakovare duke thënë se nuk ka qenë gabim nëse i ka quajtur ‘egërsira’”.

Ndryshe, të shtunën në media është raportuar se kryetari i Kamenicës nga radhët e Vetëvendosjes, Kadri Rahimaj, ka propozuar Dalibor Filipoviqin për nënkryetar të komunës dhe se i njëjti është votuar në Kuvendin Komunal të Kamenicës. /Telegrafi/