Partia Demokratike e Kosovës ka hyrë në përgatitjet intensive për organizimin e Konventës për zgjedhjen e Kryetarit të partisë më 3 korrik.
PDK sipas njoftimit për media ka theksuar se mbështetur në statutin e partisë, kandidati/ja që synon të garoj për Kryetar ka afat kohor ta shpall kandidaturën deri dy ditë para mbajtjes së Konventës, pra më 1 korrik (E enjte) ora 17:00
“Kandidati/ja që garon për Kryetar të partisë, duhet të paraqes listën me 50 nënshkrime të delegatëve nga 818 sa ka gjithsejtë Konventa si dhe platformën e tij/saj politike.
Grupi punues i Konventës mirëpret nga të gjithë kandidatët që të kontribuojnë rreth përgatitjes sa më të mirë të Konventës”, thuhet në njoftim.
PDK thekson se pas formalizimit të kandidaturave, një ditë para mbajtjes së Konventës, do të organizohet një takim i përbashkët me të gjithë kandidatët për t’i njoftuar me të gjitha përgatitjet që janë bërë, rregullat statutare dhe agjendën e ditës zgjedhore të Konventës.
“Zyrtari i lartë përgjegjës i partisë për tu kontraktuar për të gjithë mbarëvajtjen e procesit përgatitor të Konventës së PDK-së është Sekretari Elektoral, Betim Gjoshi”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/