Site icon Telegrafi

PDK-ja në listën për deputetë do t’i ketë dy përfaqësues nga Lugina e Preshevës

Kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryeministër të Kosovës, Enver Hoxhaj ka bërë të ditur se kjo parti në listën për deputetë do t’i ketë edhe dy përfaqësues nga Lugina e Preshevës.

Hoxhaj në një konferencë për media ka thënë se PDK-ja do të nisë edhe iniciativën që shqiptarët e Luginës së Preshevës të pajisen me letërnjoftimin dhe pasaportën e Republikës së Kosovës.

Në zotimet që ka bërë publike Hoxhaj përfshihen edhe Ligji për mbështetjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës, themelimi i Agjencisë Shtetërore për Luginën e Preshevës, rritja e kuotave për studentët nga Lugina dhe krijimi i kuotave të reja për studentët e dëbuar nga Lugina që ndodhen në Kosovë, katër pika të reja kufitare si dhe Fondi i përhershëm për kthimin e shqiptarëve të Luginës të dëbuar nga vatrat e tyre.

Enver Hoxhaj, PDK

“PDK-ja do të përfshijë në listën e saj për deputetë dy përfaqësues nga Lugina e Preshevës që e përfaqësojnë secilën komunë të Luginës, ashtu që zëri i shqiptarëve të Luginës së Preshevës të dëgjohet në Kuvendin e Kosovës. PDK-ja do ta iniciojë Ligjin për mbështetjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës që do të garantonte zotimet ligjore të Qeverisë së Kosovës për shqiptarët e Luginës duke krijuar strukturat e nevojshme, duke siguruar mbështetje financiare dhe mbështetje për zhvillimin arsimor, kulturor dhe shoqëror”, tha ai.

Sipas tij, PDK-ja dhe qeveria e udhëhequr nga PDK-ja do ta themelojë Agjencinë Shtetërore për Luginën e Preshevës si organ koordinues i Kosovës për adresimin e sfidave të shqiptarëve të Luginës dhe për koordinimin e ndihmës shtetërore të Kosovës.

“Kjo Agjenci do të jetë nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejt të Kryeministrit të Kosovës. PDK-ja do të marrë iniciativën që shqiptarët e Luginës së Preshevës të pajisen me letërnjoftimin dhe pasaportën e Republikës së Kosovës. Kjo do të realizohet përmes nismës së PDK-së për ta amandamentuar Ligjin për Shtetësinë e Kosovës. PDK-ja do ta ndërmarrë rritjen e kuotave për studentët nga Lugina dhe krijimin e kuotave të reja për studentët e dëbuar nga Lugina që ndodhen në Kosovë”, tha ai.

Ai u shpreh se në rast se partia e tij vjen në pushtet do t’i hapë katër pika të reja kufitare me Luginën e Preshevës, ashtu që ta lehtësojë qarkullimin e shqiptarëve të Luginës.

“Këto pika kufitare do të jenë në këto fshatra të Luginës – Muhoc, Breznicë, Dobrosin dhe Ranatoc. PDK-ja do ta krijojë Fondin e përhershëm për kthimin e shqiptarëve të Luginës të dëbuar nga vatrat e tyre. Ky Fond i Qeverisë së Kosovës do të jetë me vlerë prej 2 milion euro në vit dhe do të orientohet nga zhvillimi ekonomik, kulturor, rual dhe arsimor i Luginës së Preshevës”, ka thënë Hoxhaj. /Telegrafi/

Enver Hoxhaj, PDK

 

Exit mobile version