Site icon Telegrafi

PDK-ja pret ftesë për ta mbështetur protestën e nesërme për Haradinajn!

Gjykata franceze në Colmar dje e ka shtyrë edhe për një muaj vendimin për kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn.

Pas këtij vendimi, Haradinaj ka thënë se ky është një turp i drejtësisë dhe se tani zyrtarisht është “peng politik”.

Një vendim i tillë bëri që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të thërras për nesër (e shtunë) një protestë gjithëpopullore.

E në mbështetje të kësaj proteste kanë dalë edhe dy partitë e tjera opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, si dhe Nisma për Kosovën.

Ndërkaq në Partinë Demokratike të Kosovës, kanë deklaruar se kjo është një protestë e lirë dhe se ata nuk kanë pasur ftesë që si parti ta mbështesin atë.

Kështu ka thënë për Telegrafin, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti.

“Është një protestë e lirë, ne nuk kemi pasur ftesë që si parti ta mbështesim këtë protestë. Kjo është një vendim qytetar i lirë dhe secili është i lirë të protestoj”, ka thënë Pajaziti.

Ai më tej ka shprehur bindjen se nesër do të ketë një numër të madh të qytetarëve që do të protestojnë në mbështetje të Haradinajt.

Pajaziti ka theksuar po ashtu se si PDK gjatë seancës së djeshme në Kuvendin e Kosovës, kanë shprehur shqetësimin rreth shtyrjes së vendimit për liderin e AAK-së, Ramush Haradinaj.

Haradinaj ishte arrestuar më 4 janar në aeroportin ndërkombëtar Basel-Mulhouse, më saktësisht në pjesën franceze të tij. /Telegrafi/

Exit mobile version