Telegrafi

PDK-ja e dërgon në Kushtetuese Ligjin për Fondin Sovran

Partia Demokratike e Kosovës sot e dërgoi për vlerësim Ligjin për Fondin Sovran në Gjykatën Kushtetuese.

Ferat Shala nga PDK tha se janë të bindur që ky ligj do të duhej të kthej dhe suprimohej sepse sipas tij kjo qeveri me ligje të tilla diskriminuese po orvatet të kap resurset dhe asetet.

“Ne sot po e fillojmë këtë proces politik dhe jemi të bindur se do të duhej të kthehej apo të suprimohej ky ligj tashmë i miratuar dhe t’i kthehemi normalitetit ekonomik të vendit, sepse kjo qeveri po orvartet që me ligje të tilla diskriminuese të pabarabarta të kapë të resurset, asetet dhe ndërmarrjet, të cilat de fakto dhe de jure i menaxhon vet”, shtoi Shala.

PDK vlerëson se me Ligjin për Fondin Sovran po krijohet një institucion jashtë parimeve të sundimit të ligjit, dhe kërkesa për vlerësimin e këtij ligji e pamundëson dekretimin e tij nga ana e presidentes.

Avokati i PDK-së, Faton Fetahu në një deklaratë për media tha se sot kanë parashtruar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për vlerësimin e kushtetutshmërisë të Ligjit për Fondin Sovran.

“Në tërësi kemi evidentuar, kemi vlerësuar se 11 nene të këtij ligji janë të papajtueshme me të paktën 7 nene të Kushtetutës dhe i tillë është edhe neni, i cili flet për rolin investues të Fondit Sovran dhe krijimin e ndërmarrjeve, të cilat janë si ndërmarrje private, të cilat do t’i mbështesë Fondi. Pra, në këtë mënyrë krijon monopol në treg, sepse Fondi Sovran do të zgjedhë dy ndërmarrje private sipas dëshirës së tij, pa kushte dhe pa kritere, do të investojë”, theksoi Fetahu.

Sipas tij, po ashtu ky ligj krijon monopol në treg dhe do ta cenoj substancialisht edhe konkurrencën e lirë dhe parimet themelore të ekonomisë së tregut të lirë.

Avokati Fetahu tha më tej se Ligji për Fondin Sovran në mënyrë shprehimore i suspendon disa ligje shumë të rëndësishme.

Ai tha se është i bindur se ky ligj do të shpallet anti-kushtetues.

Ndryshe, i njëjti ligj ditë më parë është dërguar për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese edhe nga Lidhja Demokratike e Kosovës. /Telegrafi/