Komisioni për të Drejtat dhe Interesat e Komuniteteve dhe Kthim ka miratuar me shumicë votash Projektligjin për rishikimin e Buxhetit me raport amendamente të Komisionit funksional.
Kundër këtij Projektligji ishin deputetët e opozitës.
Deputeti nga PDK-ja, Elmi Reçica theksoi se rishikimi i buxhetit si i tillë nuk do të duhej të kaloj pasi sipas tij ka ndarje buxhetore në baza partiake nëpër komuna në prag të zgjedhjeve lokale.
“Dua të deklaroi që rishikimi i buxhetit për vitin fiskal 2021, është një buxhet që si i tillë nuk do të duhej të kaloj. Mendoj se rishikimi ka shumë premisa politike dhe tentohet të ndikohet drejtpërdrejt në zgjedhjet lokale. Kur të shikojmë në brendi këtë buxhet, ka çështje të cilat do ët duhet të diskutohen dhe plotësohen[…]Pra, deklaroi që si i tillë ky buxhet nga deputetët e PDK-së dhe nuk unë nuk do të votohet rishikimi”, theksoi ai.
Edhe deputeti nga AAK, Shemsedin Dreshaj theksoi se këtë Projektligj për rishikim nuk do ta votojnë pasi sipas tij ka ndikim partiak në raport me komunat e caktuara.
“Në lidhje me këtë projektbuxhet për vitin 2021, unë në emër të Aleancës konfirmoj se nuk do ta votojmë, pra jemi kundër. Për shkak se ka premisa politike nëpër komuna të caktuara dhe njëkohësisht është jo normale që të vije deri tek rritja e buxhetit të planifikuar nga 1.88 miliard në mbi 2 miliardë, ndërsa për 12 përqind të investimeve kapitale zvogëlohen”, theksoi Dreshaj.
Kryetarja e Komisionit, Verica Ceraniq theksoi se është ndarë shuma për komunitete dhe me amendamente parashihen 1.2 milion euro.
“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve me rishikim të buxhetit 2021 ka ndarë 1.2 milion euro për komunitetin pakicë, prej tyre 600 mijë euro për komunitetin multietnik dhe 600 mijë për komunitetin serb”, theksoi ajo.
Ndërsa, asnjë prej deputetëve nga pakicat nuk pati vërejtje për projektligjin në fjalë. /KP/Telegrafi/