Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës ka marrë vendimin për mbajtjen e Konventës për zgjedhjen e kryetarit të ri.
Në një njoftim për media thuhet se Konventa e partisë është caktuar më 3 korrik 2021, ditë e shtunë.
Siç theksohet, këtij vendimi i ka paraprirë një debat i gjatë në të gjitha nivelet e partisë që ka filluar pas përfundimit të zgjedhjeve të 14 shkurtit.
“Kryesia ka udhëzuar organet e partisë për fillimin e menjëhershëm të përgatitjeve për organizimin e Konventës zgjedhore të partisë”, thuhet në njoftim.
PDK-ja nga fillimi i nëntorit të vitit të kaluar është me ushtrues detyre të kryetarit pas dhënies së dorëheqjes të ish-kryetarit Kadri Veseli.
Ai ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë pas konfirmimit të akuzës nga Gjykata Speciale.
Ushtrues detyre i kryetarit të PDK-së që nga atëherë është Enver Hoxhaj.