Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar sërish shkarkimin e ministres Donika Gërvalla. Kështu ka thënë në një konferencë për media, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri.
Tahiri shtoi se edhe sot ishim dëshmitar të një angazhimi dhe denigrim dhe ofendimin e luftës së UÇK-së, nga ministrja e Jashtme.
“Ajo edhe sot vazhdoi ta fyente luftën e UÇK-së, kauzën tonë për liri dhe pavarësi, ajo i fyeu sot të gjitha gratë e dhunuara, sakrificën më të madhe të kombit shqiptar. Ne si PDK nuk mund të lejojmë që ministrja të flet me narracionin e ndërtuar në Beograd. Fjalimi i saj ishte i njëjtë me pasardhësin e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviçit pra Ivica Daçiqit”, tha Tahiri.
Tahiri theksoi se PDK e merr me shqetësim qëndrimin e ministres sepse ajo e përfaqëson Kosovën.
“Ne kërkojmë nga kryeministri Kurti që ta shkarkoj menjëherë këtë ministre të papërgjegjshme, e cila në mënyrë të vazhdueshme denigron pjesën më të ndritur të historisë së Kosovës. Ne do të përdorim të gjitha mjetet demokratike që kësaj ministre t’i pamundësohet ushtrimi i detyrës”, tha Tahiri.
Ai theksoi se asnjëherë nuk e kanë menduar dy dekada pas çlirimit, Kosova do ta ketë një ministre të jashtëm që flet në një linjë të plotë me atë që flet ministri i jashtëm serb për luftën e UÇK-së.
“Qëndrimi i saj në krye të Ministrisë së Jashtme është ofendim i madh për qytetarët, viktimat që kanë ra për lirinë, për viktimat e dhunuara”, tha Tahiri.
Të pyetur se a do të kthehen në seancë sot, Tahiri tha që jo.
“E patë sjelljen e mazhorancës, kemi në vazhdimësi tendencë për tu ndalë fjalën deputetëve të opozitës. Sot u pamundësia vazhdimi i seancës sepse kishim fyerje nga deputetët e mazhorancës. Në mungesë të fakteve për të debatuar ata fyenin dhe ofendonin deputetët e opozitës. Nuk do të kthehemi në seancë”, tha Tahiri. /Telegrafi/