Site icon Telegrafi

PDK cakton drejtorët në Komunën e Prishtinës, nënkryetare do të jetë një grua

Nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili në një konferencë për media ka bërë të ditur emrat e propozuar për drejtorë në Komunën e Prishtinës nga radhët e kësaj partie.

Ismaili tha se në marrëveshje me LDK-në janë dakorduar që PDK të ketë nënkryetarin e Komunës dhe pesë drejtori.

“Ne do të udhëheqim me Drejtorinë e Arsimit, Shërbimeve Publike, Sportit, Kulturës dhe Bujqësisë”, u shpreh Ismaili.

Ismaili ka bërë të ditur se PDK ka caktuar për herë të parë një grua të përgatitur profesioniste dhe me vullnet për angazhim në shoqëri si nënkryetare të kryeqytetit.

Në rolin e nënkryetares së parë grua të Prishtinës, PDK ka caktuar Donjeta Sahatçiun.

Drejtore për Arsim është caktuar Besianë Musmurati, Drejtor për Sport do të jetë Granit Rugova, Drejtor i Shërbimeve Publike do të jetë Ilirik Musliu, ndërsa Drejtor i Bujqësisë është caktuar Plator Gërdovci.

Gjatë ditëve në vijim Ismaili bëri të ditur se pritet të emëroj edhe udhëheqësin/en e Drejtorisë së Kulturës.

Ai në fund falënderoi të gjithë qytetarët për mbështetjen që i kanë dhënë PDK-së në zgjedhjet lokale. /Telegrafi/

 

Exit mobile version