Telegrafi

PDK e shqetësuar thellë për tensionet në komunat veriore, kërkon nga Qeveria koordinim me ndërkombëtarët

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka shprehur shqetësim të thellë për tensionet e sotme në komunat e pjesës veriore të Kosovës, duke dënuar tendencën për dhunë nga grupe të dirixhuara nga Serbia.

“Në këtë moment, të vetëdijshëm se përshkallëzimi i situatës nuk i sjellë asnjë dobi Kosovës, bëjmë thirrje për përmbajtje, rend dhe qetësi, për t’i lënë hapësirë respektimit dhe zbatimit të vullnetit të qytetarëve”, thuhet në reagimin e PDK-së.

“Ftojmë qeverinë që ta vlerësojë situatën e sigurisë dhe veprimet t’i ndërmarr në koordinim edhe me partnerët ndërkombëtarë”, vijon tutje reagimi.

Lexo po ashtu Situata në veri, Policia: Po asistojmë kryetarët e Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut për të ushtruar të drejtën e tyre në punë në objektet zyrtare të komunave

Ndryshe, Policia e Kosovës përdori gazin lotsjellës dhe shok-bombat për t’i shpërndarë qytetarët e tubuar rreth objekteve komunale.

Paraprakisht, Policia njoftoi se po asistonte kryetarët e rinj për të hyrë në objektet zyrtare të komunave përkatëse.

Në një njoftim të Policisë së Kosovës thuhet se pesë pjesëtarë të saj pësuan lëndime, ndërsa katër makina u dëmtuan gjatë përleshjeve./Telegrafi/