Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas ka reaguar në lidhje me konfirmimin e dënimit të të akuzuarve nga Gjykata e Apelit në rastin “Drenica II”.
Nëpërmjet një komunikate për media Partia Demokratike e Kosovës dega në Drenas, shpreh indinjatën me të thellë dhe shpreh pakënaqësi me rastin e dënimit të Gjykatës së Apelit ndaj grupit të Drenicës II, duke thënë se ky vendim i kësaj gjykate është i montuar politikisht dhe për qëllim ka denigrimin e luftës së drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Dega e PDK-së në Drenas nuk pajtohet me këto vendime të qëllimshme që kanë për objektiv degradimin dhe njollosjen e luftës së lavdishme të UÇK-së që për synim kishte vetëm çlirimin e vendit nga regjimi serb. Rasti i dënimit ndaj vëllezërve Demaku dhe të tjerëve është i motivuar nga politika dhe këto vendime plotësojnë edhe apetitet e pangopura të Serbisë e cila po vazhdon fatkeqësisht që vizuelisht të ndikoj në drejtësinë e vendit tonë, ndërsa kjo e fundit po mundohet që përmes këtyre dënimeve, pa asnjë fakt, të barazoj fajin ndërmjet luftës së Kosovës dhe atë të Serbisë”, thuhet në reagim.
Siç thuhet komuna e Drenasit dhe e gjithë Kosova ka shumë shembuj për të dhënë, që gjenocidi ndaj civilëve ishte nga paramilitaret serbë, por përmes këtij reagimi PDK përmend masakrën e familjes Deliu, e cila është po nga fshati Abri, ku ishin masakruar në mënyrën me barbare edhe fëmijët e posalindur dhe nuk është gjykuar sot e 17 vite askush për këto krime dhe asnjë krim tjetër të kryer ndaj popullatës së pafajshme të Kosovës.
“Partia Demokratike e Kosovës dega në Drenas vazhdon të besoj në luftën e drejtë dhe të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në reagim.