Kur kanë mbetur më pak se dy javë nga balotazhi i 14 nëntorit subjektet politike kanë intensifikuar përpjekjet për të arritur koalicione.
Sot PDK, dega në Malishevë, ka arritur marrëveshje me AAK-në, për zgjedhjet e 14 nëntorit.
Marrëveshja është nënshkruar mes Isni Kilajt të PDK-së, që është edhe në balotazh dhe Kastriot Berishës nga AAK, që ishte po ashtu kandidat për kryetarë të Malishevës por që nuk arriti balotazhin.
Marrëveshjen e ka bërë të ditur dega e PDK-së në Malishevë.
“Me përfaqësuesin e AAK së në Malishevë Kastriot Berisha, dhe bashkëpunëtorët e tij arritëm marrëveshje për mbështetje dhe bashkëqeverisje në Komunën e Malishevës.
Bazuar në verdiktin që dhanë qytetarët e Malishevës në raundin e parë të zgjedhjeve lokale, duke i dhënë shumicën e votave partive opozitare në Malishevë, duke u nisur nga nevoja për një qeverisje gjithëpërfshirëse dhe me vizion, që i jep Malishevës zhvillimin e nevojshëm, sonte nënshkruam marrëveshjen që na bashkon për Malishevën.
PDK-ja dhe AAK-ja do të jenë bashkë në rundin e dytë dhe në qeverisjen e Malishevës.
Bashkimi jonë ka për qëllim përfshirjen e sa më shumë qytetarëve dhe ideve për një Malishevë të zhvilluar, duke e bërë fitoren e 14 nëntorit sa më të madhe.
Malisheva është e të gjithë qytetarëve dhe partive që jetojnë dhe angazhohen në këtë Komunë, ne jemi gati që bashkë me AAK-në, bashkë me subjektet e tjera politike dhe të gjithë qytetarët t’i japim Malishevës Qeverisjen që e meriton”, thuhet në komunikatë.
Ndryshe në garën e balotazhit në Malishevë janë kandidatës e Nismës dhe PDK-së.
Në raundin e parë Ekrem Kastrati i Nismës ka marrë 34% derisa Isni Kilaj i PDK-së rreth 29%.
Kastriot Berisha i AAK-së është renditur i pesti me 4.21% apo 933 vota./Telegrafi/