Site icon Telegrafi

PDK drejt ndarjes edhe në Drenas, Ramiz Lladrovci hesht

Asnjëherë në çfarëdo ngjarje nuk përton të flasë. Madje kryetarit të Drenasit, Ramiz Lladrovci, zakonisht nuk i mungojnë as batutat.

Por, Lladrovci refuzoi të flasë kur u pyet për zgjedhjet në degën e Drenasit të Partisë Demokratike të Kosovës.

Ai nuk e pa të udhës të flasë as për partinë e re të Bekim Jasharit, mikut të tij të kamotshëm për çka është thënë se do t’i bashkohet.

Por, është dikush tjetër nga PDK që flet për zgjedhjet e këtij subjekti në Drenas.

Ish-kryesuesi i Asamblesë të Drenasit, Naim Bazaj, ka shpallë kandidaturën për kryetar të kësaj partie në zgjedhjet e brendshme.

Bazaj që është kundërshtar i Ramiz Lladrovcit, nuk përjashton ndarjen e PDK-së në Drenas në rast se ky i fundit zgjidhet edhe kryetar partie.

“Nuk përjashtoj problemet…”, tha Bazaj për T7.

Se mund të ketë ndarje e thotë edhe një ish-asambleist tjetër i PDK-së, Xhavit Drenori, i cili zgjedhjet në këtë parti i cilëson si farsë.

Drenori nuk e përjashton mundësinë që Ramiz Lladrovci t’i bashkohet iniciativës politike të Bekim Jasharit.

“Nëse nuk fiton ka me u bo kryetar i nismës së Bekim Jasharit…”

Partia Demokratike ka një kohë që ka shpallur zgjedhjet e brendshme, të cilat do të përfundojnë me Konventën Qendrore që do të mbahet në muajin dhjetor.

Exit mobile version