Pas certifikimit të rezultateve zgjedhore pritet që partia që ka shumicën parlamentare ta krijojë edhe Qeverinë.
Derisa ende nuk janë certifikuar rezultatet e zgjedhjeve, problem pritet të jenë numrat për formimin e Qeverisë.
Në mënyrë që Qeveria e ardhshme ta ketë shumicën parlamentare, është raportuar se LDK-ja është pajtuar edhe për një qeverisje me PDK-në, përfshirë këtu edhe AAK-në dhe Nismën.
Por, Agim Veliu, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës në një prononcim për Telegrafin tha se LDK nuk ka pasur asnjë takim me PDK-në.
“Qëndrimi i LDK-së është i njëjtë, ashtu siç ka qenë”, tha Veliu.
Edhe burimet të Telegrafit brenda PDK-së bëjnë të ditur se deri më tani Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës nuk kanë pasur asnjë bisedë rreth koalicionit.
“Jo, nuk kemi pasur asnjë bisedë për ndonjë koalicion të mundshëm me LDK-në. Ne e kemi marrëveshjen tonë me AAK-në dhe NISMA-në, dhe nuk mendojnë që të bëjmë marrëveshje të re përderisa e kemi kryeministrin e qeverisë së ardhshme, Ramush Haradinaj”, ka thënë për Telegrafin ky burim. /Telegrafi/
Foto: Arkiv