Site icon Telegrafi

PDK dhe AAK koalicion për balotazhin në Vushtrri

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë arritur marrëveshje koalicioni në qytetin e Vushtrrisë për raundin e dytë të zgjedhjeve që do të mbahet më 14 nëntor.

Lajmin e ka bërë të ditur vet kandidati i PDK-së për kryetar të Vushtrrisë, Ferit Idrizi.

Me anë të kësaj marrëveshje AAK do ta mbështes kandidatin e PDK-së në balotazh.

“Të zotuar në qeverisje të mirë, duke harmonizuar programet tona për Vushtrrinë e me besim se do të arrijmë të zhvillojmë më shumë qytetin tonë e të krijojmë vende të reja të punës kemi arritur koalicionin me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës – AAK dega në Vushtrri”, ka njoftuar Idrizi në Facebook.

Ai thotë se partneriteti me AAK-në do të respektohet dhe sipas tij kjo do të jetë në interes të qytetarëve.

“Këtë koalicion e kemi arritur për dy arsye, për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe për zhvillimin e Vushtrrisë. Jemi zotuar që ta respektojmë partnerin e koalicionit dhe implementojmë marrëveshjen që kemi për rritjen e mirëqenies së qytetarëve të Vushtrrisë”.

“Dalshim faqebardhë, na priftë e mbara”.

Në balotazhin e 14 nëntor për postin e kryetarit të Vushtrrisë do të garojnë, kandidati i Partisë Demokratike të Kosovës Ferit Idrizi dhe kryetari aktual nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës Xhafer Tahiri.

Në raundin e parë, kandidati i AAK-së për Vushtrri ka marrë 565 vota po rreth 2% të numrit të përgjithshëm të votave në Vushtrri./Telegrafi/

Exit mobile version