Sot është plasuar në publik një informatë për dëmtimin e pllakatit të projekt-planit të fabrikës së kërpudhave në Drenas, të prezantuar dje nga kryetari i AKR-së, Behxhet Pacolli.
Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Drenas, përmes një reagimi e konsideron krejtësisht të papranueshëm dhe e dënon një veprim të tillë.
“Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Drenas, mirëpret dhe përkrahë çdo iniciativë apo investim ekonomik që është në funksion të zhvillimit të Drenasit dhe mirëqenies së qytetarëve të tij. Qeverisja e Partisë Demokratike të Kosovës në Drenas, në vazhdimësi, ka ofruar lehtësira dhe mundësi për të gjithë investitorët e interesuar dhe do të vazhdoj edhe më tutje ta bëjë një gjë të tillë. Parku i Biznesit në komunën tonë është një nga dëshmitë e shumta në këtë drejtim”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Gjithashtu, shton më tej Partia Demokratike e Kosovës, Dega në Drenas, vlerëson se janë të papranueshme improvizimet për qëllime elektorale dhe tendencat për të manipuluar opinionin publik të Drenicës.
“Drenicës dhe gjithë Kosovës i duhen investime reale që garantojnë rritje ekonomike dhe vende të reja të punës për qytetarët tanë”, përfundohet në reagim. /Telegrafi/