Dega e Partisë Demokratike të Kosovës në Skenderaj ka reaguar pas një lajmi se gjoja disa anëtarë e kanë braktisur këtë degë, duke thënë se PDK është më e fortë se kurrë.
PDK ka njoftuar se dega e saj në Skenderaj është shumë stabile dhe se vazhdon të fuqizohet edhe më tutje.
Lexoni reagimin e plotë të PDK-së:
Shkrimet e sotme në disa media elektronike për gjoja braktisje të PDK-së nga një pjesë e anëtarësisë dhe kalimi në një subjekt tjetër, nuk janë të vërteta. Janë plotësisht të pavërteta pohimet e të cituarve nga mediat për kalim të anëtarësisë në ndonjë subjekt tjetër politik.
PDK në Skenderaj, që nga themelimi ka pasur dhe vazhdon të këtë elektorat stabil dhe përgjatë gjithë këtyre viteve të funksionimit ka pasur në vazhdimësi rritje të anëtarëve dhe simpatizantëve të saj.
Tendenca për të paraqitur situatën brenda strukturave të PDK-së si të tensionuar, nga individë që nuk kanë arritur të realizojnë qëllime personale brenda subjektit tonë politik, është me prapavijë të qartë personale dhe me ambicie për të marrë merita të paqena brenda PDK-së. PDK nuk ka qenë dhe nuk do të jetë vend ku individë të caktuar mund të realizojnë qëllime personale duke shfrytëzuar masovitetin e subjektit politik të krijuara që 17 vite.
Meritokracia është vlerë të cilën PDK e ka krijuar do ta ruaj dhe do ta promovojë, duke shmangur në secilin rast luftën brenda saj për qëllime personale.
PDK në Skenderaj ka qenë dhe vazhdon të jetë e hapur për të gjithë ata individë dhe grupe individësh që përqafojnë konceptin politik evropian që përfaqëson.