Partia Demokratike e Kosovës përmes një komunikate për media e konsideron humbje të madhe vendimin e kompanisë amerikane “Contour Global” për t’u larguar përfundimisht nga Kosova si dhe heqjen dorë nga ndërtimi i termocentralit “Kosova e Re”.
Kjo është një goditje e madhe për ekonominë, fuqinë e ardhshme energjetike të Kosovës dhe marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat sot janë në stadin më të keq të tyre, thuhet në komunikatë.
Sjellja e Qeverisë Kurti, sipas PDK-së, në raport me njërin prej investimeve më të mëdha amerikane në Kosovë është e papranueshme dhe tregon që në javët e para për drejtimin e mbrapshtë që ka marrë.
Për më tepër, PDK përkujton se fillimisht u refuzua kërkesa e Qeverisë amerikane për heqjen e taksës me gjithë vendosjen e bllokadës për fondet amerikane dhe paralajmërimet për largimin e trupave amerikane.
“Ky kryeministër dhe kjo qeveri VV – LDK, po deklarohet publikisht kundër investimeve dhe interesave amerikane në vendin tonë. Mungesa e vullnetit politik për ta shtyrë përpara këtë projekt të madh investimi, flet edhe për mungesën e vizionit të qeverisë së tanishme për të përkrahur investimet e huaja në Kosovë”, thuhet më tej në komunikatë.
Kompania amerikane “Contour Global” kishte planifikuar të investonte 1.3 miliard për ndërtimin e termocentralit të ri gjatë pesë vjetëve të ardhshme, si dhe do të hapeshin mijëra vende pune dhe shumë angazhim për kompani lokale kosovare./Telegrafi/