Partia Demokratike e Kosovës, dega në Mitrovicë përmes një komunikate për media thekson se duke e ndjerë dështimin total në të gjitha fushat, kryetarit të Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, nuk i ka mbetur asgjë tjetër pos të lavdërohet me projektet që ishin përgatitur dhe kishin nisur në kohën e Avni Kastratit.
PDK thekson se i tillë është edhe projekti për sheshin e qytetit që kishte nisur në vitin 2011.
“Përveç zyrtarëve komunalë, në përgatitjen e atij projekti ishin kyçur edhe ekspertë të Komisionit Evropian, në mënyrë që të hartohej një projekt sa më modern për qytetin e Mitrovicës. Për projektin që ishte siguruar edhe financimi nga BE-ja, ekzistojnë fotografi që dëshmojnë ecurinë e gjithë procesit. Fotografitë dhe komunikatat për këtë projekt të Avni Kastratit ekzistojnë edhe në ueb-faqen e komunës”, thuhet në komunikatë. /Telegrafi/