Telegrafi

PDIU kundër ndarjes së komunës Plavë-Guci

“Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet kundërshton vënien në jetë të vendimit të Kuvendit Komunal të Plavë -Gucisë në Mal të Zi që synon ndarjen e kësaj komune dhe krijimin e komunës së Gucisë. Nëse zbatohet ky vendim komuniteti i vogël shqiptar që ka mbijetuar në trojet e veta edhe pas emigracionit dhe asimilimit masiv, do të përçahet në dy njësi administrative dhe pesha politike e tij do të minimizohet dramatikisht. Prandaj, PDIU shpreh solidaritetin me organizatorët dhe pjesëmarrësit e protestës popullore të datës 1 shkurt, të cilët dolën para Kuvendit komunal të Plavës për të kundërshtuar copëtimin e komunës Plavë-Guci”, thuhet në deklaratë, transmeton BW.

PDIU ndër të tjera, u bën thirrje të gjithë aktorëve politikë shqiptarë që të kthejnë vëmendjen tek bashkëkombësit në krahinën e Plavë-Gucisë dhe të japin mbështetje të pakufizuar që ata të gëzojnë liritë dhe të drejtat e tyre.

Sipas PDIU, ndërtimi i një rruge të re të kombit Deçan-Plavë-Guci-Vermosh-Shkodër do t’i nxjerrë shqiptarët e kësaj krahine nga izolimi njëshekullor, do të sjellë zhvillimin ekonomik dhe do t’i vë fre vazhdimit të braktisjes së identitetit kombëtar shqiptar dhe largimit të mëtejshëm prej këtyre trojeve të trungut tonë etnik. /Telegrafi/