Zëdhënësja e PD, Ina Zhupa, deklaron se pas një viti, Kryeministri i ka bërë edhe një dhuratë tjetër ndërtuesit të tij personal.
Në një deklaratë për shtyp, Zhupa tha se Rama i ka dhënë mikut të tij një shtesë kontrate edhe 870 milionë lekë të tjera nga paratë e shqiptarëve, nga paratë e gjakut të shqiptarëve.
Deklarata e plotë e zëdhënëses së PD-së, Ina Zhupa:
Një vit më parë, Partia Demokratike denoncoi aferën e rregullimit të zyrave të OSHEE, ku Carapuli, ndërtuesi personal i Edi Ramës, kapi këtë tender si fitues i paracaktuar, edhe pse operatori i dytë në garë u paraqit me 740 milionë lekë më pak.
Mori carapuli tërë fondin limit, 4.5 miliardë lekë, për rregullime zyrash, që do të mjaftonin për të bërë dy godina të reja nga fillimi.
Pas një viti, Edi Rama i bën dhe një dhuratë tjetër ndërtuesit të tij personal, i jep shtesë kontrate edhe 870 milionë lekë të tjera, nga paratë e shqiptarëve, nga paratë e gjakut të shqiptarëve.
870 milionë lekë të tjera për të të njëjtën punë, në të njëjtën aferë të pisët korrupsioni.
870 milionë lekë janë 580 pensione në qytet, 1055 pensione në fshat, janë 1270 pagesa papunësie.
Por janë para që ndahen, plackiten prej Edi Ramës dhe oligarkëve të tij, ndërsa popullit i mbetet burgu, varfëria, emigracioni.
E gjithë shuma për carapulin, për të rregulluar zyrat e bandës së OSHEE që lë në errëzirë, fut në burg, dhe merr dhe jetën e të pamundurve, shkon në 5 miliardë e 400 milionë lekë.
5 miliardë e 400 milionë lekë merr me një të rënë të lapsit ndërtuesi personal i Edi Ramës, për të regulluar godinën e një prej hajdutëve më të medhenj të Edi Ramës, Celës së OSHEE.
Ky është sundimi i korrupsionit, i hajdutëve, i zhvatësve të parave të shqiptarëve.
Eshtë koha për tu bashkuar, është koha që qytetarët ta ndalin këtë maskaradë.
Shqipëria nuk meriton të trajtohet si plackë.
Shqipëria më mirë pa Edi Ramën. /Telegrafi/