Partia Demokratike përmes një njoftimi të bërë për media ka njoftuar se ka nisur mbledhjen e informacioneve për mosveprimin e Qeverisë dhe Bashkisë Krujë për dy pallatet e shembura nga tërmeti i datës 26 Nëntor 2019.
PD ka thënë se Qeveria dhe Bashkia Krujë duhet të japë llogari për vdekjen e 24 qytetarëve në Thumanë, teksa kanë bërë të ditur se sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i është drejtuar me kërkesë zyrtare për informacion Qeverisë dhe Bashkisë Krujë, për pesë çështjet konkrete, lidhur me tërmetin e 26 nëntorit.
“1. Pas tërmetit të datës 21 Shtator 2019, a ka kërkuar zyrtarisht dhe a ka kryer Bashkia Krujë verifikimin e sigurisë dhe gjendjes së dy pallateve të shkatërruara në Thumanë nga tërmeti i datës 26 Nëntor 2019? Nëse po, ju lutem na vini në dispozicion dokumentin zyrtar që e provon këtë. A është informuar ose raportuar pranë Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile (KNEC) për gjendjen e këtyre pallateve?
2. A u verifikuan dy pallatet në Thumanë pas tërmetit të 21 Shtatorit? Nëse po, kush janë ekspertët që u angazhuan dhe çfarë vlerësimi bënë ata? Lutemi një kopje të aktit të konstatimit/verifikimit të hartuar dhe nënshkruar prej tyre.
3. A u lajmëruan banorët për gjetjet e ekspertimit/verifikimit?
4. Nëse godinat ishin vlerësuar si të rrezikshme, çfarë masash u morën për strehimin e banorëve dhe ndalimin e hyrjes në ato banesa?
5. Kush lejoi futjen e banorëve në pallatet e shembura në 26 Nëntor 2019 dhe mbi çfarë bazë u bë kjo?”, thuhet në njoftimin e bërë nga PD./Telegrafi/