Site icon Telegrafi

PD publikon sot listën e deputetëve

Basha duhet të zyrtarizojë listën përfundimtare të kandidatëve për deputetë gjatë ditës sotme, kur përfundon dhe afati i regjistrimit në KQZ.

Të parët emra të sigurt në listën e PD-së mësohet se janë krerët e grupeve të punës në 12 qarqet e vendit, por që për të shmangur konfliktin e interesit, ata nuk do të kandidojnë në zonat ku u caktuan nga kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Konkretisht bëhet fjalë për emrat e Edi Palokës, Arben Ristanit, Dhurata Çupi, Florjon Mima, Flamur Noka, Albana Vokshi, Edmond Spaho, Tritan Shehu, Grida Duma, Ervin Salianji, Aldo Bumçi dhe Gent Strazimiri. Listës së sigurt i shtohen edhe emrat e Oerd Bylykbashit, Jorida Tabakut, Luçiano Boçit, Jozefina Topallit, Halim Kosovës, Enno Bozdos, Belind Këlliçit etj. Po ashtu, të garantuar janë edhe aleatë si Dashamir Shehi, Nard Ndoka dhe Vangjel Dule.

Në listën e kandidatëve të PD-së këtë herë do të ketë më shumë të rinj, për të cilët kreu i PD-së, Lulzim Basha në janar të këtij viti njoftoi se 30 për qind të listës së PD-së do ta përbëjnë vetëm përfaqësuesit e të rinjve.

Ditën e shtunë Partia Demokratike nis fushatën për zgjedhjet e 25 qershorit.

“27 maj, ora 19:00, nisim rrugën drejt fitores vendimtare Republika e Re”, shkruan kreu i PD-së, Lulzim Basha. /Telegrafi/

Exit mobile version