Partia Demokratike e Shqipërisë ka publikuar në profilin e saj në Facebook katër mesazhe të dala nga konferenca e kreu të saj, Lulzim Bashës, i cili iu drejtua qytetarëve pas arrestimit të Lefter Kokës nga SPAK, mbi implikime korruptive në çështjen e inceneratorëve.
“Sot dua t’ju drejtohem të gjithë qytetarëve shqiptarë me katër mesazhe. Lufta kundër korrupsionit njësoj si dekriminalizimi i politikës është jetike për Shqipërinë. Shqiptarët nuk janë të varfër, por janë të vjedhur. Shqipëria nuk është e varfër, por është e vjedhur”.
Ky ka qenë mesazhi primar i kreut të demokratëve, për mbështetësit e tij dhe jo vetëm.
Sipas kryeopozitarit, misioni numër një është lufta kundër krimit dhe korrupsionit. Ai ka përshëndetur veprimet e kryera nga SPAK ditët e fundit. Ndërsa, pa kushte, ka siguruar mbështetjet për drejtësi dhe luftën ndaj “një armiku të mirëqenies shqiptare”.
Basha ka pohuar se edhe ish-qeverisja demokrate, ka pasur korrupsion. Por, ata janë të vendosur ta luftojnë edhe atë, për të ecur drejt të ardhmen.
Ky mesazh lidhet drejtpërdrejt edhe me sloganin e Kuvendit Kombëtar të thirrur nga Basha më 18 dhjetor. Nën siglën “Zgjedhim të Ardhmen”, ai do të mbledhë delegatët të shtunën në Pallatin e Kongreseve, një javë pas Kuvendit të ish-kreut të bluve, Sali Berisha, i cili mori vendimin për shkarkimin e Bashës.
“Nuk mund të ketë ndryshim për shqiptarët pa pasur një luftë pa kompromis dhe pa ngjyra politike kundër korrupsionit në nivele të larta. Ne jemi të vendosur të ecim përpara, të shkëputemi nga pjesa e keqe e të kaluarës tonë dhe të zgjedhim të ardhmen”, ka përmbyllur ai mesazhin.