Telegrafi

PD në pritje të posteve të zëvendësministrave

“Arsyeja e shtyrjes fillimisht ka qenë agjenda e zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli, i cili ka qenë në vizita zyrtare jashtë vendit. Pastaj ka qenë procesi i ratifikimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ka qenë një proces shumë i rëndësishëm”, ka thënë nënkryetari i PD-së, Abdullah Klinaku, për Telegrafin.

Ai ka theksuar se tashmë janë të përshtatshme për të vazhduar edhe formatimin e mbetur brenda Qeverisë.

Klinaku ka theksuar se zyrtarisht nuk kemi pasur ndonjë konfirmim se do të jepen dy postet e kërkuara, por gjithmonë ka pasur një frymë pozitive. “Na është thënë se kërkesa juaj është në pajtim edhe me fuqinë dhe korrektësinë që e keni brenda koalicionit qeveritar, por konkretisht nuk ka lëvizur diçka”, ka theksuar Klinaku.

Emrat e përcaktuar për zëvendësministra janë Abdullah Klinaku për Ministrinë e Diasporës dhe Feti Mediu për Ministrinë e Kulturës.

Plotësimi i emrave nga PD-ja pritet të bëhet pasi që më parë AKR-ja ka marrë postin e ministrit të Zhvillimit Ekonomik, që ishte kërkuar pas largimit të Agim Çekut nga Koalicionit për Kosovën e Re. /Telegrafi/