Rreth 1000 protestues vazhdojnë të qëndrojnë në shesh, pavarësisht shiut dhe motit të papërshtatshëm. Atmosfera në tendën e ngritur mes Kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit ka entuziazmin e një feste.
Aty dominon muzika, kryesisht shqiptare dhe herë pas here të rinj, qytetarë, por edhe deputetë të Partisë Demokratike mbajnë fjalime të shkurtra.
Në një tavolinë, i rrethuar me të rinj e të reja, qëndron kryetari i opozitës, Lulëzim Basha.
“Është një festë demokracie, është festa e njerëzve që sot kanë vrarë frikën; kanë kuptuar që të marrësh fatin tënd në duart e tua nuk është e pamundur; që kanë kuptuar që Tirania e pakicës e lidhur me krimin nuk është destinacioni e fati i shqiptarëve”, shprehet Basha.
Qytetarët thonë se do të vazhdojnë të qëndrojnë në shesh deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
“Të kemi një qeveri teknike, të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme e një kod të ri elektoral, votim elektronik dhe të gjitha të tjerat”, thotë një protestues.
“Është bërë një qeveri që nuk mund të ketë më shpresë në vendin tënd, është vështirë për të jetuar, vrasës kriminelë, drogaxhi kanë marrë pushtetin, duhet të reagojmë njëherë e mirë. Do vazhdojmë të qëndrojmë këtu sot, nesër deri sa ta rrëzojmë”, thotë një tjetër.
“Ne kemi dalë shumë herë të tjera të protestojmë, kemi protestuar për rritjen e taksave, për rritjen e çmimit të energjisë elektrike dhe shumë çështje të gjëra edhe se shokët tanë kanë shkuar azilant, por këta duan të na heqin edhe shpresën. Rinisë demokrate nuk ia heqin dot shpresën ata. Do të rrimë këtu seri sa ata të largohen dhe do të jemi këtu çdo ditë”, tha një protestuese.