Forcat Speciale të policisë që u angazhuan për të mbrojtur rrethimin te Parku i Liqenit kanë goditur jo vetëm protestuesit, por edhe disa deputetë e përfaqësues të opozitës.
Kështu pretendon selia blu.
Sipas PD, janë goditur ish-ministri i Financave, Ridvan Bode dhe kreu i Grupit Parlamentar të PD, Edi Paloka.
Sipas PD, policia ka goditur gjithashtu edhe kreun e grupit të këshilltarëve të PD, në Këshillin Bashkiak të Tiranës, Leonard Olli.
“Sot e them edhe një herë, jemi para faktit që tregon se këtu nuk ka shtet, ka një shtet të padrejtësisë i cili dhunon qytetarët e tij në të gjitha format. Me një kryeministër i cili urdhëron dhunimin e qytetarëve të thjeshtë dhe mbron me shtet dhe me polici oligarkinë kriminale që po drejton sot këtë vend.
Ky është vetëm një shembull, e dëgjuat të gjithë kryetarin e bashkisë kur tha se këtu nuk do të hidhet asnjë metër beton, nuk do të pritet asnjë pemë, shihni sot se ç’po ndodh. Është rrethuar dhe po mbrohet betoni i Edi Ramës,” tha Paloka.
Një nga protestuesit u dërgua me abulancë në spital për të marrë ndihmë mjekësore pas goditjeve të marra gjatë përplasjes me forcat e shumta të policisë. /Telegrafi/