Partia Demokratike (PD), me anë të Sekretarit për Zgjedhjet, Ivi Kaso, deklaroi se Edi Rama ka “kërcënuar këto ditë gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor në mënyrë mafioze e kriminale”.
“Alket Hyseni, Kryetari i Komisionit të Garancive Statutore në PS, i cili, pasi përmbushi me sukses detyrën e ngarkuar nga Edi Rama për të mos lejuar zgjedhje në PS, u gradua prej tij si Drejtor i Parandalimit të Pastrimit të Parave. Kërcënimi dhe shantazhet e urdhëruara drejtpërdrejt nga Edi Rama janë kryer nga Alket Hyseni, në adresë te gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor me qëllim shtyrjen e datës së zgjedhjeve në Dibër. Ky ushtar i Edi Ramës u ka kujtuar njerëzve të ligjit, se nëse nuk vendosin për shtyrjen e zgjedhjeve do të përballen me hakmarrjen e Ramës në procesin e vetingut”, u shpreh Kaso.
“Nga paniku i gjykimit të qytetarëve me votë, Edi Rama po lëviz çdo gur për të shtyrë zgjedhjet nga Dibër. Në fillim doli haptazi në mbrojtje të Shukriut, në mbrojtje të abuzimit pervers me pushtetin ku një vend pune trafikohej në këmbim të seksit, tani del kundër dekretit të Presidentit që shpall zgjedhjet e reja, dhe kërcënon gjyqtarët. Edi Rama kërkon t’u tregojë gjyqtarëve se janë në dorën e tij dhe se do ta kenë nga pas në procesin e vetingut, me ushtarët e tipit Hyseni. Këto kërcënime mafioze janë akte terroriste që hedhin në erë çdo formë të demokracisë në vend, dhe shpallje lufte ndaj çdo standardi të shtetit ligjor”, shtoi Kaso. /Telegrafi/