Dorëheqja e Enkelejd Alibeajt, nga posti i kryetarit në detyrë të PD-së, ka hapur një dinamikë të re zhvillimesh brenda kësaj force politike.
Dorëheqja e Alibeajt jo vetëm duket se ka krijuar një boshllëk në drejtimin e PD, por edhe në grupin e saj parlamentar.
Nisur nga ky zhvillim Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, kërkoi që në bazë të statutit të PD-së, saktësisht nenit 46, të nisin procedurat për zëvendësimin e tij.
Është pikërisht ky nen që përcakton rolin e kryetarit në PD, si dhe parashikon rastet kur kryetari mungon për një kohë të gjatë, ose në rastet kur ai dorë-hiqet.
Çfarë parashikon neni 46
Sipas nenit 46 kryetari i partisë kryeson organet qendrore të Partisë dhe siguron zbatimin e vendimeve të tyre. Ai përfaqëson Partinë në të gjitha veprimtaritë publike e politike, të brendshme dhe ndërkombëtare.
Statuti parashikon që kryetari i partisë ndihmohet nga Nënkryetarët dhe Sekretari i Përgjithshëm. Por ajo që do të përcaktojnë dinamikën e mëtejshme të zhvillimeve pas dorëheqjes së Alibeajt, është pika 4 e nenit 46.
“Në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njëri prej tyre zëvendëson Kryetarin. Në mungesë të këtij autorizimi, duke përfshirë rastet e dorëheqjes nga detyra të Kryetarit, Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon Nënkryetarin që do të drejtojë Partinë deri në rikthimin e Kryetarit në detyrë apo zgjedhjen e Kryetarit të ri.”- thuhet në këtë pikë.
Këtë të drejtë ka shfrytëzuar edhe sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Bardhi, i cili pritet të thërrasë edhe Këshillin Kombëtar.
Aktualisht PD është vetëm me një nënkryetar, Jorida Tabakun, pasi 2 prej tyre Grida Duma dhe Alfred Rrushaj, tashmë janë dorëhequr./RTSH