Një terrorist që shpreson të blejë një armë kundërajrore nuk ka pasur nevojë viteve të fundit të kërkonte askund tjetër pos në “Facebook”, që ka qenë vendi ku janë hapur dhjetëra pazare online për të gjithë ata që kërkonin armatim prej armëve të dorës deri te mitralozat e kalibrit të madh dhe raketave.
Postimet në “Facebook” sugjerojnë se ka dëshmi për përpjekje të shitjes me përmasa të mëdha të armëve terroristëve dhe militantëve, shkruan “New York Times”, transmeton “Koha Ditore”. Armët përfshijnë shumë lloje që përdoren prej ushtrisë amerikane dhe ushtrive aleate të amerikanëve në Lindje të Mesme.
Këto pazare në internet, që janë në kundërshtim me rregullat e “Facebookut” që ndalojnë shitjen private të armëve, janë shfaqur në rajonet ku “Shteti Islamik” ka praninë më të madhe dhe më të fuqishme.
Këtë javë NYT-i i ka ofruar “Facebookut” shtatë shembuj të grupeve të dyshimta, e të cilat kompania virtuale i ka bllokuar menjëherë.
Të dhënat janë bazuar në një studim të kryer prej kompanisë private të konsulencës, “Armament Research Services”, që merret me studimin e shitblerjeve të armëve të trafikuara nëpërmjet medieve sociale në Libi, por “The Times” ka zbuluar dëshmi të trafikimeve të ngjashme edhe në Siri, Jemen dhe Irak.