Site icon Telegrafi

Pazar i hapur në ndihmë të grave dhe fëmijëve në strehimore

Një numër i madh i qytetarëve iu kanë përgjigjur thirrjes për pazarin e hapur sot në Prishtinë.

Në “Flea Market”, ata kanë shkuar që të shesin gjësendet e tyre që nuk i përdorin, por kishte interesim edhe nga ata që i blejnë ato.

E të dyja grupet kishin vetëm një qëllim që të hollat e mbledhura t’ia dedikojnë grave dhe fëmijëve në strehimoret e Kosovës.

Bashkorganizatorja e “Flea Market”, Tringa Binaku, ka thënë se një pjesë e fitimit që do të mblidhet sot do të shkojë për gratë dhe fëmijët e strehimoreve në Kosovë.

“Kemi arritur me mbledhë shumë rroba që kanë ofruar qytetarët, pra, një numër i rrobave që janë brenda janë nga qytetarët që i janë përgjigj thirrjes tonë për të dhuruar çfarëdo lloj të mire material për strehimoren e grave dhe fëmijëve në Kosovë… Një pjesë e fitimit të sotëm shkon për strehimoret e grave dhe fëmijëve në Kosovë, e ndërsa disa prej stadeve që janë të vendosura brenda janë specifikasht të vendosura për këtë qëllim. Krejt të hollat që mblidhen prej standeve kanë me shku për strehimore”, ka thënë Binaku, për KP.

Një nga organizatoret e “Flea Market”, Erleta Morina tha se qëllimi i këtij organizimi ka qenë për të ndihmuar strehiomoret e grave dhe fëmijëve.

“Nuk e kemi organizu veç është pazar i hapun edhe njerëzit munden me ardhë mi shit gjësendet, por e kemi bo edhe me një kauzë mbrapa saj që të hollat që mblidhen kanë me shku në strehimoret e grave dhe të fëmijëve në Kosovë… Ka shumë të ineteresuar që kanë ardhur, edhe me shite, edhe me ble, me këqyrë dhe kontribu në ndonjë mënyrë tjetër. Varësisht sa del fitimi prej shitjeve, atëherë kemi me këqyr bashkë me organizatorët e tjerë ku dhe cilat strehimore kanë nevojë për çka dhe mi nda ne atë mënyrë”, ka thënë Morina.

Morina tha se nëse teprojnë gjësende të cilat nuk blihen sot, pas disa javësh do të bëhet prapë një organizim i tillë ose do t’i dhurojmë ato diku.

“Flea Market”, që njihet edhe si pazar i hapur, organizohet në gjithë botën./Telegrafi/

Exit mobile version