Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie ka reaguar pas dorëheqjes së Kryeprokurorit të Gjykatës Speciale, Jack Smith, të cilin Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, Merrick Garland, e emëroi këshilltar të posaçëm për të mbikëqyrur hetimin e Departamentit të Drejtësisë për praninë e dokumenteve sekrete në pronën e ish-presidentit Donald Trump në Florida.
Delawie, përmes një postimi në Twitter, është shprehur i pasigurt nëse Smith është prokurori i duhur për të udhëhequr hetimet ndaj Trump.
“Interesante që Garland mendon që avokati i cili ka hetuar krimet kundër njerëzimit dhe krimet e luftës në Kosovë, është njeriu i duhur për ta përndjekur Trumpin”, ka shkruar Delawie, transmton Telegrafi.
Smith do të merret gjithashtu edhe me hetimin e veçantë që përfshin sulmin e 6 janarit 2021 mbi Kapitolin dhe përpjekjet për të ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Interesting that Garland thinks the lawyer who has been prosecuting crimes against humanity and war crimes in #Kosovo is the right person to prosecute Trump. @steadystatevets
— Ambassador Greg Delawie (@GregDelawie) November 18, 2022
Ky vendim u publikua vetëm tre ditë pasi zoti Trump shpalli zyrtarisht kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale që do mbahen më 2024.
Jack Smith, është prokuror veteran që drejtoi seksionin e integritetit publik të Departamentit të Drejtësisë në Uashington dhe më vonë shërbeu si kryeprokuror federal në Nashville, Tenesi, gjatë administratës së presidentit Barack Obama.
Së fundmi, ai ka qenë kryeprokuror i Prokurorisë së Posaçme në Hagë që heton krimet që dyshohet se u kryen nga ish Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjatë dhe pas luftës.
Ajo që ka nxitur debat në SHBA është koha dhe arsyeja pse u bë ky emërim.
“Emërimi i një avokati të posaçëm në këtë kohë është gjëja e duhur për t’u bërë”, tha prokurori i përgjithshëm amerikan, Merrick Garland në një konferencë shtypi në Uashington.
Ky do të ishte këshilltari i tretë i posaçëm i Departamentit të Drejtësisë që emërohet që nga viti 2017 për të trajtuar çështje të ndjeshme politikisht. /Telegrafi/