Telegrafi

Pavel Durovi dhe kufijtë e fjalës së lirë

Burimi: The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Nëse ndonjë person mishëron mrekullitë dhe sëmundjet e epokës sonë dixhitale, ai mbase është Pavel Durovi, themeluesi i aplikacionit të mesazheve, Telegram, i lindur në Rusi, i cili u arrestua të shtunën në Paris. Për mbështetësit e tij, Durovi është hero për krijimin e një hapësire të sigurt për fjalën e lirë. Për kundërshtarët e tij, ai është një keqbërës për nxitjen e veprimtarisë kriminale. Në të vërtetë, ai mund të jetë edhe i pari edhe i dyti.

Para se të nxitoni për të gjykuar, ia vlen të merret parasysh historia personale e Durovit. Kur e intervistova në vitin 2015, dy vjet pas lansimit të Telegram-it, Durovi më tregoi për të kaluarën tragjike të familjes së tij. Nën Stalinin, disa anëtarë të familjes së tij, nga Kievi dhe Shën Petersburgu, ishin persekutuar, dëbuar në Siberi ose pushkatuar. Durovi nuk e bëri asnjë dallim midis Hitlerit i cili i shtypte pakicat etnike, dhe Stalinit i cili i shtypte klasat shoqërore. Ai tha se i urrente që të dy në mënyrë të barabartë, duke e vënë veten në kundërshtim me regjimin gjithnjë e më nacionalist të presidentit Vladimir Putin.

VKontakte, shërbimi jashtëzakonisht i popullarizuar i rrjeteve sociale si Facebook, i krijuar nga Durovi me vëllain e tij, përdorej nga grupet opozitare të Kremlinit. Por, në vitin 2014 ai u detyrua t’ia shiste kompaninë e tij investitorëve të lidhur me Kremlinin dhe të largohej nga vendi. E konsideroi veten me fat që i shpëtoi tragjedisë të paraardhësve të tij dhe doli me 300 milionë dollarë. Me këto të ardhura, ai e zhvilloi Telegram-in me qëllimin e qartë për të shmangur ndërhyrjet e qeverisë dhe për të ofruar “një vepër të mirë sociale”.

Për këtë qëllim, Telegram-i fillimisht u krijua si rrjet i decentralizuar i serverëve të të dhënave dhe si korporatë nomade, megjithëse tani është me bazë në Dubai. Durovi premtoi të siguronte të gjitha komunikimet private dhe u mburr se nuk do të dorëzonte kurrë asnjë të dhënë të përdoruesit te asnjë qeveri. “E konsideroj veten si një sipërmarrës teknologjik; jo si politikan apo filozof. Do të isha i lumtur të shihja përhapjen e vlerave liridashëse, por nuk është diçka të cilën e shoh si mision timin”, më tha ai atëherë.

Nëntë vite më vonë, Telegram-i është bërë një histori e jashtëzakonshme suksesi, e përdorur nga më shumë se 900 milionë njerëz të cilët i vlerësojnë shërbimet e tij të thjeshta dhe në dukje të sigurta. Telegram-i kombinon një shërbim mesazhesh me një rrjet social që lejon përdoruesit të komunikojnë me deri në 200 mijë njerëz në të njëjtën kohë. Ka qenë shërbimi i zgjedhur për lëvizjet protestuese në Rusi, Bjellorusi, Iran, Mianmar dhe Hong Kong. Ka ofruar oksigjen të mirëpritur politik për aktivistët e ngufatur.

Çuditërisht, Telegram-i është platforma e preferuar për nacionalistët ukrainas dhe rusë për të zhvilluar luftërat e tyre propagandistike, duke lejuar imazhet tronditëse të konfliktit. Ironikisht, është mbështetur gjithashtu nga politikanët francezë, duke përfshirë presidentin Emmanuel Macronin, i cili i shihte shërbimet e tij si një alternativë e mirëpritur ndaj gjigantëve dominues të Luginës së Silikonit. Durovi madje ka marrë nënshtetësinë franceze.

Megjithatë, organizatat e shoqërisë civile dhe agjencitë e zbatimit të ligjit janë gjithnjë e më shumë të shqetësuara për përdorimet e ndyra të Telegram-it, për të cilin ata argumentojnë se është kthyer në “rrjet të errët”. Në veçanti, autoritetet gjyqësore franceze po hetojnë platformën për shpërndarjen e materialeve për abuzimin seksual të fëmijëve dhe aktivizimin e rrjeteve kriminale. Telegram-i i ka hedhur poshtë akuzat. “Është absurde të pretendosh se një platformë ose pronari i saj janë përgjegjës për abuzimin e asaj platforme”, thanë nga kompania.

Duke vepruar kështu, Telegram-i nuk duket se bën dallim midis kërkesave kërcënuese të regjimeve autokratike dhe kërkesave legjitime të autoriteteve të zbatimit të ligjit në vendet demokratike. As nuk e ka shpjeguar plotësisht ndalimin dhe lejimin e autoriteteve ruse dhe popullaritetin e tij të mëvonshëm midis zyrtarëve të Kremlinit. Shërbimi është gjithashtu më pak i sigurt nga sa duket: Telegram-i nuk u ofron përdoruesve enkriptim në të gjitha mesazhet, siç bëjnë WhatsApp dhe Signal. Do të ishte në interesin e kompanisë dhe përdoruesve të saj që të sillen më mirë.

Qëndrimi disi infantil i absolutistëve liridashës është se liria e fjalës nuk duhet të ketë kufij. Por, një shoqëri e lirë nuk ka të bëjë vetëm me lirinë e shprehjes. Kërkon gjithashtu respektim të ligjeve dhe mbrojtje të të drejtave të tjera të çmuara të njeriut. Demokracitë mund të jenë të çrregullta, por janë mekanizmat më të mirë që njohim për të gjykuar midis këtyre lirive dhe të drejtave.

Prokurorët e Parisit tani e kanë vënë Durovin nën hetim zyrtar. Franca ka ligje të cilat e kriminalizojnë shpërndarjen e materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve dhe promovimin e aktivitetit kriminal. I takon sistemit gjyqësor francez të përcaktojë nëse Telegram-i ka thyer ndonjë prej këtyre ligjeve. /Telegrafi/